BotaTopLajm

SHBA-ja dhe Kina pranë një momenti të ri “Sputnik”

Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, konfirmoi se Kina ka testuar një armë hipersonike në fillim të këtij viti dhe tha se prova ka qenë shumë pranë një “momenti Sputnik” për ushtrinë e Shteteve të Bashkuara.

Duke folur në një intervistë për televizionin Bloomberg, Milley tha se bëhet fjalë për një “ngjarje shumë të rëndësishme teknologjike”, e cila ka “gjithë vëmendjen” e SHBA-së.

“Nuk e di nëse është një moment i Sputnik-ut, por mendoj se është shumë afër kësaj”, tha Milley.

Lëshimi i satelitit të parë në botë Sputnik nga Bashkimi Sovjetik, në vitin 1957, ka tërhequr vëmendje të madhe dhe ka rritur frikën e SHBA-së se po mbetej prapa në aspektin e teknologjisë.

Ngjarja ka bërë që presidenti i atëhershëm amerikan, John F. Kennedy, të deklarojë se SHBA-ja do të zbarkojë njerëz në Hënë dhe ky qëllim është arritur në më pak se një dekadë.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes ka refuzuar më herët të konfirmojë provën kineze, e cila është raportuar për herë të parë nga gazeta Financial Times, më 16 tetor.

Raketa ka fluturuar rreth Tokës në një lartësi të ulët dhe me një shpejtësi më shumë se pesë herë më të madhe se shpejtësia e zërit, ka shkruar Financial Times.

Ekspertët ushtarakë janë të alarmuar nga testimi i raketës me aftësi bërthamore, sepse, sipas tyre, ajo është vështirë të zbulohet.

Ministria e Jashtme e Kinës mohoi se ka testuar armë. Ajo tha se testi ishte rutinë. “Nuk ishte raketë, ishte një mjet hapësinor”, tha ministria kineze.

Milley tha se Shtetet e Bashkuara po punojnë gjithashtu në armët hipersonike, porse ato nuk kanë testuar armë të tilla në atë nivel që ka bërë Kina. Rusia ka testuar po ashtu armë hipersonike.

Presidenti amerikan, Joe Biden, dhe zyrtarë të tjerë amerikanë kanë shprehur shqetësime të përgjithshme për zhvillimin e armëve hipersonike kineze.

Sekretari për media i Pentagonit, John Kirby, nuk pranoi të komentojë provën e Kinës ose deklaratat e gjeneralit Milley, por tha se puna e Kinës në armët e avancuara hipersonike “është një nga disa çështjet” që kanë shkaktuar shqetësim në administratën Biden.

Çdo përparim i madh në aftësitë ushtarake të Kinës “ndihmon shumë pak në uljen e tensioneve në rajon dhe më gjerë”, tha Kirby.

I pyetur nga gazetarët për përparimin e SHBA-së në teknologjinë e armëve hipersonike, Kirby tha se ajo “është reale, është e prekshme”.

“Ne po punojmë që të jemi në gjendje për ta zhvilluar atë aftësi. Kjo nuk është një teknologji e huaj për ne”, tha Kirby.

Raketat hipersonike janë të afta të udhëtojnë pesë herë më shpejt sesa shpejtësia e zërit.

Ato konsiderohen më të manovrueshme se raketat konvencionale dhe më të afta për të shmangur mbrojtjen ajrore.

Sipas rrjetit televiziv CNN, drejtori i CIA-s, William Burns, e ka përshkruar Kinën javën e kaluar si kërcënimin më të madh teknologjik për Shtetet e Bashkuara.

Në fillim të këtij muaji, Burns ka thënë se agjencia e tij e spiunazhit do t’i rrisë përpjekjet e saj kundër Kinës.

Shtëpia e Bardhë e presidentit Joe Biden e ka karakterizuar marrëdhënien SHBA-Kinë si një “konkurrencë strategjike”./REL

Related Articles

Back to top button
Close
Close