
Bashkimi Demokratik për Integrim shpreh shqetësimin e thellë për ndotjen e ujit në Gostivar dhe rrezikun serioz që kjo situatë paraqet për shëndetin e qytetarëve. Siguria e ujit të pijshëm është një e drejtë themelore njerëzore dhe çdo dështim institucional në garantimin e saj është i papranueshëm.
Institucionet kompetente duhet të veprojnë menjëherë, me përgjegjësi dhe transparencë të plotë, për të përcaktuar burimin e kontaminimit, përgjegjësinë institucionale dhe për të sqaruar nëse janë ndërmarrë me kohë të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e qytetarëve. Çdo vonesë apo fshehje e informacionit vetëm sa rrit pasigurinë dhe humb besimin e publikut.
BDI mbështet plotësisht çdo hetim profesional dhe të pavarur që do ta zbardhë këtë rast, do të mbrojë shëndetin e qytetarëve dhe do të sigurojë që çdo përgjegjës të përballet me drejtësinë. Në të njëjtën kohë, kërkojmë informim të rregullt dhe transparent të opinionit, furnizim të pandërprerë me ujë të sigurt për familjet e prekura, si dhe kontrolle të vazhdueshme laboratorike deri në konfirmimin zyrtar se uji është plotësisht i sigurt për përdorim.
Shëndeti i qytetarëve duhet të jetë mbi çdo interes tjetër. Përgjegjësia, transparenca dhe veprimi i shpejtë janë detyrim institucional, jo zgjedhje.



