
Junajtid po përgatitet për ndeshjen e fundjavës ndaj Brentford, dhe një nga emrat më të përfolur është ai i mesfushorit të ri Kobi Maino. Sipas raportimeve të “The Sun”, trajneri Ruben Amorim po e stërvit intensivisht 20-vjeçarin për ta përshtatur në rolin e mesfushorit mbrojtës, duke e vendosur përkrah kapitenit Bruno Fernandes.
Me Kasemiron të pezulluar dhe Manuel Ugarte që ende nuk po bind, Amorim po sheh te Maino një alternativë serioze për të marrë kontrollin e mesfushës. Burime pranë klubit theksojnë se portugezi po punon me lojtarin mbi aspektet mbrojtëse dhe disiplinën taktike, duke e sfiduar të bëhet lojtar i kompletuar. Maino ka treguar vendosmëri dhe “mentalitet luftëtari” në stërvitje, duke bindur stafin teknik se është gati.
Ndeshja ndaj Brentford shihet si një mundësi e artë për të treguar vlerat e tij dhe për të fituar një vend të qëndrueshëm në formacion. “Djajtë e kuq” do të zbresin sot në fushë edhe pa Amad Dialo në ndeshjen e sotme, pasi sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka marrë leje për arsye personale, pas humbjes së një familjari.
Trajneri Amorim konfirmoi lajmin në konferencën për shtyp, duke theksuar se klubi dhe shokët e skuadrës janë pranë lojtarit. “Amad nuk është me ne. Dikush nga familja e tij ka ndërruar jetë dhe ne i kemi dhënë gjithë mbështetjen e nevojshme. Ishte e rëndësishme për të që të kthehej në shtëpi”, pohoi Amorim. Diallo, i cili ka qenë titullar në ndeshjet e fundit, do të mungojë përkohësisht, ndërsa skuadra do të përpiqet të marrë një fitore edhe për të.



