
Një avion luftarak F-16 i Forcave Ajrore të Rumanisë ka rrëzuar një dron rus mbi Detin e Zi, duke shënuar incidentin e tretë të tillë brenda tre ditësh.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rumanisë, droni u neutralizua në mënyrë të sigurt rreth 12 kilometra në verilindje të qytetit bregdetar Sulina, mbi ujërat territoriale rumune. Autoritetet theksuan se nuk pati rrezik për popullsinë.
Deri të premten, Rumania nuk kishte arritur të rrëzonte asnjë prej dronëve që kishin shkelur hapësirën e saj ajrore. Megjithatë, një pilot rumun arriti të asgjësojë një dron në një zonë të pabanuar dhe, me incidentet e së shtunës dhe të dielës, numri i dronëve të rrëzuar ka arritur në tre.
Presidenti Nicușor Dan deklaroi se droni i rrëzuar të premten ishte i tipit Shahed, i përdorur gjerësisht nga forcat ruse, ndërsa hetimet për dy dronët e tjerë janë ende në zhvillim.
“Është e papranueshme dhe e patolerueshme që Federata Ruse të vazhdojë të shkelë hapësirën ajrore të Rumanisë, e cila është njëkohësisht hapësirë ajrore e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian. Veprime të tilla janë të papranueshme dhe trajtohen me seriozitetin më të madh, në koordinim me aleatët tanë”, deklaroi presidenti rumun.
Nga ana tjetër, NATO bëri të ditur se incidenti i së dielës është ende nën hetim. Zëdhënësi i komandës ushtarake të Aleancës, koloneli amerikan Martin O’Donnell, tha se këto ngjarje vijnë në një kohë kur NATO, Rumania dhe shtete të tjera po investojnë në sisteme të reja tokësore të mbrojtjes ajrore për të forcuar sigurinë e aleancës.
Ministria e Jashtme e Rumanisë njoftoi se ka thirrur ambasadorin rus në Bukuresht për të kërkuar sqarime lidhur me shkeljet e përsëritura të hapësirës ajrore. Edhe kryeministri Ilie Bolojan i cilësoi këto incidente si “të papranueshme”.
Ndërkohë, ministri rumun i Mbrojtjes, Radu Miruță, deklaroi se vendi do të vazhdojë të mbrojë me vendosmëri sovranitetin dhe hapësirën e tij ajrore, duke shtuar se provokime të tilla duhet të marrin fund.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, që nga fillimi i luftës në Ukrainë, dronët rusë kanë hyrë pa leje në hapësirën ajrore rumune 33 herë. Prokurorët kanë gjetur mbetjet e dronit të rrëzuar të premten, ndërsa kërkimet për pjesët e dy dronëve të tjerë vijojnë.
Zyrtarët ushtarakë rumunë kanë paralajmëruar gjithashtu se Rusia ka shtuar sulmet ndaj rajonit të Odesës, në jug të Ukrainës, përpara sezonit të korrjeve, duke ushtruar presion mbi rrugët strategjike të energjisë dhe tregtisë në Detin e Zi.



