
Situata e krijuar në qytetin e Gostivarit po shkon drejt normalizimit të plotë, falë angazhimit të institucioneve lokale dhe qendrore, organizatave, miqve dhe të gjitha palëve të përfshira, të cilëve u jemi mirënjohës për gatishmërinë e lartë dhe mbështetjen e treguar.
Shtabet e krizës, në nivel qendror dhe lokal, po funksionojnë në mënyrë jashtëzakonisht të mirë. Komuna e Gostivarit po bashkëpunon plotësisht me të gjitha institucionet kompetente dhe ka vënë në dispozicion të gjitha kapacitetet e saj për tejkalimin sa më të shpejtë të situatës.
Punohet intensivisht për kthimin e situatës në normalitet. Presim që shumë shpejt të sigurohet ujë për përdorim teknik dhe, më pas, edhe ujë i sigurt për pije.
Njëkohësisht, sinqerisht u bëjmë thirrje të gjithëve që kjo situatë të mos përdoret për pikë politike, në dëm të qytetarëve, veçanërisht nga ata që nuk kanë sjellë as edhe një shishe ujë në Gostivar, por janë mjaftuar vetëm me kritikimin e veprimeve të institucioneve.
Nuk ndërtohet rejting politik mbi fatkeqësitë e dikujt tjetër. Në këtë moment, prioriteti duhet të jetë tejkalimi i situatës dhe mbështetja e qytetarëve.
Të gjitha rrethanat dhe përgjegjësitë duhet të përcaktohen përmes një procedure të drejtë, objektive dhe transparente.
Aleanca për Shqiptarët



