
Qeveria ka marrë hua jo vetëm nga Navigacioni i Maqedonisë (M-NAV), por edhe nga Lotaria Shtetërore dhe MEPSO, për nevojat e Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, deklaroi kryeministri Hristijan Mickoski, përcjell TV21. Sipas tij, fondet do të përdoren për shlyerjen e një kredie ndaj bankës kineze për autostradat, ndërsa të njëjtat mjete do t’u kthehen kompanive gjatë muajit gusht. Mickoski tha se bëhet fjalë për një procedurë të zakonshme që është zbatuar edhe më herët. Përndryshe, vendimi për huanë prej 7 milionë eurosh nga M-NAV u miratua nga Qeveria më 14 korrik, ndërsa më 17 korrik tre drejtuesit e kompanisë kanë nënshkruar vendimin për dhënien e huas afatshkurtër pa interes. Sipas marrëveshjes, mjetet duhet të kthehen deri më 30 nëntor.
“Nuk bëhet fjalë vetëm për mjetet nga Navigacioni maqedonas. Kemi mjete edhe nga Lotaria, edhe nga MEPSO, si dhe mjete vetanake të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore. Këto mjete do të përdoren për shlyerjen e një kredie ndaj bankës kineze për autostradat. Të njëjtat mjete do t’u kthehen kompanive gjatë muajit gusht. Pra, bëhet fjalë vetëm për një procedurë të zakonshme, e cila është zbatuar shumë herë edhe në të kaluarën. Në gusht fondet do t’i kthehen M-NAV-it, Lotarisë së Maqedonisë dhe MEPSO-s”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.



