
Gavi ka mbajtur fjalën e dhënë. Mesfushori i Barcelonës është bërë lojtari i dytë i Spanjës që realizon premtimin e bërë para triumfit në Kupën e Botës 2026, pas Marc Cucurellas, i cili më herët mbajti zotimin e tij për të bërë një tatuazh të trajnerit Luis de la Fuente në rast se “La Roja” do të shpallej kampione.
Spanja u ngjit për herë të dytë në historinë e saj në majën e futbollit botëror, pasi mposhti Argjentinën 1-0 në finalen e Botërorit 2026, në një sfidë që u vendos në kohën shtesë në stadiumin “New York New Jersey”.
Përpara turneut, Gavi kishte premtuar se do të lyente flokët rozë nëse Spanja do të ngrinte trofeun më të rëndësishëm të futbollit. Pas suksesit të madh të kombëtares, mesfushori i Barcelonës nuk humbi kohë dhe shkoi te berberi për të realizuar ndryshimin e premtuar.
Vetë futbollisti publikoi në Instagram pamjet e look-ut të ri, me flokët e lyer në ngjyrë rozë, duke shkruar: “Një njeri që mban fjalën e tij”.
Transformimi i Gavit u shoqërua edhe me detaje nga berberi i tij, i cili tregoi se lojtari kishte vendosur të ndryshonte tërësisht pamjen, duke i rruar, zbardhur dhe më pas lyer flokët.
Reagimi më argëtues erdhi nga shoku i tij te Barcelona dhe kombëtarja, Lamine Yamal. Talenti spanjoll komentoi me emoji duke qeshur dhe duke qarë nga e qeshura, duke treguar habinë për pamjen e re të mesfushorit.
Pas disa ditësh pushimi, Gavi do të rikthehet te Barcelona më 12 gusht, ku do të nisë përgatitjet për sezonin e ri së bashku me lojtarët e tjerë të kombëtares spanjolle. Ai do të paraqitet te klubi katalanas si kampion bote dhe me një stil të ri që tashmë ka tërhequr vëmendjen e tifozëve.



