LajmeSport

Jo vetëm Salah, një tjetër ish-yll i Liverpool-it mund të bëhet shok skuadre me Ernest Muçin te Trabzonspori

Trabzonspor nuk duket se ka ndërmend të ndalet pas goditjes së madhe me Mohamed Salah.

Klubi turk ka shtuar interesimin për sulmuesin uruguaian Darwin Núñez, me synimin për të krijuar një treshe spektakolare në repartin ofensiv, së bashku me Ernest Muçin.

Sipas raportimeve nga Turqia, Trabzonspor ka rritur presionin për të siguruar shërbimet e ish-sulmuesit të Liverpoolit, i cili shihet si një përforcim i rëndësishëm për sezonin e ri.

Nëse marrëveshja do të realizohet, Núñez do të ribashkohej me Mohamed Salahun, me të cilin ka ndarë dhomën e zhveshjes për tre sezone te Liverpooli. Dy lojtarët kanë qenë shokë skuadre në “Anfield” dhe tani mund të krijojnë një tjetër histori së bashku, këtë herë në kampionatin turk.

Ardhja e Salahut ka ndryshuar menjëherë pritshmëritë rreth Trabzonsporit. Klubi turk zyrtarizoi transferimin e egjiptianit, i cili ka firmosur një kontratë dyvjeçare, duke shkaktuar entuziazëm të madh te tifozët.

Ndërkohë, situata e Núñez te Al Hilal nuk ka shkuar sipas pritshmërive. Pas largimit nga Liverpooli për të nisur një aventurë të re, uruguaiani ka hasur vështirësi për të siguruar një rol të rëndësishëm në skuadër, sidomos pas afrimit të Karim Benzemasë.

Për këtë arsye, e ardhmja e tij mbetet e hapur dhe interesimi për të është rritur nga klube të ndryshme në Europë, Amerikë dhe Turqi. Trabzonspor tashmë duket një nga skuadrat më konkrete për të siguruar firmën e tij.

Një rikthim i partneritetit me Salah mund të jetë një mundësi e rëndësishme për Núñez, i cili ende konsiderohet një sulmues me potencial të madh falë shpejtësisë, forcës fizike dhe aftësisë për të krijuar raste.

Related Articles

Back to top button
Close
Close