
Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të RMV-së, Timço Mucunski në një intervistë për Politico “Brussels Playbook” tha se vendi meriton një rrugë të drejtë, të parashikueshme dhe të besueshme drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Artikulli i Politico thekson se vendi ka qenë kandidat për anëtarësim që nga viti 2005 dhe është plotësisht në përputhje me politikën e jashtme të Unionit, por se, dy dekada më vonë, ai ende pret që negociatat e pranimit të fillojnë seriozisht.
“Po, ndonjëherë jemi shumë të frustruar nga mungesa e rezultateve politike”, theksoi Mucunski, duke shtuar se vendi është bërë një “rast studimi” se si mosmarrëveshjet dypalëshe mund të pengojnë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian.
Duke iu referuar progresit të vendeve të tjera kandidate, Politico raporton se Mali i Zi po ecën me shpejtësi drejt anëtarësimit, Shqipëria ka mbyllur tre kapitujt e parë të negociatave dhe Ukraina dhe Moldavia po bëjnë përparim në negociata. Në të kundërt, vendi nuk ka mbyllur asnjë kapitull të vetëm në më shumë se 20 vjet.



