Houston Rockets lë pas momentin negativ në NBA prej dy humbjesh radhazi dhe rikthehet te fitorja në një ndeshje që ka vlerë dyfish edhe për tifozët e skuadrës nga Toyota Center. Rockets triumfuan në derbin teksan ndaj San Antonio Spurs me rezultatin e ngushtë 109-105 brenda në AT&T Center. Pa James Harden i cili një ditë më parë braktisi Houston-in për t’u transferuar zyrtarisht te Brooklyn Nets, skuadra e trajnerit Silas u mbështet fuqishëm te loja e mirë e Wood i cili e mbylli ndeshjen me 27 pikë dhe 15 rebound. Te vendasit e San Antonios spikati Johnson me 29 pikë. Tjetër humbje për Golden State Warriors që u mposht në Colorado nga Denver Nuggets me rezultatin 114-104. Paraqitjen e shkëlqyer te Stephen Curry me 35 pikë 11 rebound dhe 4 asiste e bëri të pavlefshme serbi i Denver Nikola Jokic i cili mori duartrokitjet e Pepsi Center për një tjetër triple-double që i shtoi karrierës së tij. Me 23 pikë, 14 topa të kontrolluar poshtë tabelës dhe 10 pasime deçizive, Jokic udhëhoqi Nuggets drejt fitores së 6-të sezonale.
Mori fitoren e 3-të sezonale Toronto Raptors që mposhti në parketin asnjanës Amalie Center Charlotte Hornets me rezultatin e ngushtë 111-108. Kanadezi Boucher ishte më i miri mbi parket për skuadrën kanadeze me 25 pikë 10 rebound dhe 2 asiste. Paraqitje shumë e dobët e Portland Trail Blazzers që pas 4 fitoresh rresht u mposht në shtëpi nga Indiana Pacers me rezultatin 87-111. Për skuadrën nga Indianapolis Brogdon dhe Sabonis realizuan në total 48 pikë. /SS/