LajmeRajon

“PDK s’bëhet pjesë e serive latino-amerikane”, Bedri Hamza tregon prapaskenat e takimit me Kurtin

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka dhënë sqarime të detajuara lidhur me takimin që zhvilloi para disa ditësh me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. I ftuar në emisionin “Debat Plus”, Hamza iu përgjigj interesimit publik mbi ecurinë e bisedimeve dhe arsyet pse vendosi të shkojë vetëm në atë takim.

I pyetur për mungesën e shoqëruesve nga kryesia e partisë, ai theksoi se gëzon besimin e plotë strukturor për ta përfaqësuar PDK-në në çdo tryezë politike:

“Jo more, unë atë çka kam me folë, e njoftoj kryesinë. Tek e fundit, nuk mundesh ti me njoftu kryesinë çka ki me folë, se varet qysh zhvillohet biseda. Unë aty shkoj si kryetar i PDK-së. Pse jam kryetar i PDK-së, përfaqësoj PDK-në, dhe konsideroj që e kam besimin e plotë të gjithë strukturave të PDK-së. Mund të shkoj vetëm, mund të shkoj edhe me dikë.”

Sa i përket përmbajtjes së bisedimeve, Hamza bëri të ditur se nga ana e Kurtit nuk pati asnjë ofertë serioze apo konkrete për bashkëqeverisje. Ai nënvizoi se partia e tij nuk pranon rolin e spektatorit apo përkrahjen pa kushte, por kërkon garanci përmes pjesëmarrjes reale në vendimmarrje:

“Dhe për me i zbatu prioritetet, PDK ka nevojë, do garanci, e garancia është pjesëmarrja në vendimmarrje. Unë kam folë për marrëveshje gjithëpërfshirëse politike, jo pozitë. Vërehet që nuk ka ofertë serioze për PDK-në. Nëse nuk të thotë që ke mundësi me bashkëqeverisë, kjo nuk është temë. Nuk të jep indikacione. PDK s’ia jep as nuk ia kërkon askujt përkrahjen bllanko.”

Tutje, kreu i PDK-së ironizoi zgjatjen e bisedimeve pa rezultate konkrete dhe vuri në dukje qëndrimet e vetë zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët publikisht kanë përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit:

“Faktikisht asgjë nuk ofroi. S’ka ofertë, cila është oferta? E kam pyetur cila është oferta… Nëse nuk ka ofertë, në studio të juaj eksponentë të lartë të VV-së kanë deklaruar publikisht që nuk kanë qëllim me kriju institucione me PDK-në. Edhe? Nëse ti nuk do institucione me PDK-në… Shiko, i qëndroj asaj që e kam thënë gjithmonë, jo vija të kuqe, marrëveshje gjithëpërfshirëse politike për të gjitha institucionet. PDK nuk bëhet pjesë e takimeve që i ngjasojnë serive latino-amerikane me shumë episode.”

Në përfundim, Hamza e bëri krejtësisht të qartë pozicionin e ardhshëm të partisë së tij në skenën politike, duke konfirmuar kalimin ose mbetjen në opozitë:

“Por, e kam deklaru që PDK, në mungesë të ofertës serioze, pamundësisë që me gjetë në këtë fazë – se di për të ardhmen – mundësi bashkëpunimi, deklaron se ne do të jemi parti në opozitë.”

Related Articles

Back to top button
Close
Close