
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov u takua sot në Manila me homologun e tij amerikan, Marco Rubio në prag të samitit të Azisë Juglindore.
Ky është takimi i tyre i parë që prej shtatorit të vitit 2025 kur fokusi i Uashingtonit ishte tek ndërmjetësimi për dhënien fund të luftës në Ukrainë.
Në takim thuhet se pala ruse e ka akuzuar palën amerikane për dërgesa “të papranueshme” të armëve në Ukrainë. Lavrov i tha sekretarit të shtetit të SHBA-së se “ishte e papranueshme të vazhdohej furnizimi me armë i regjimit të Kievit”, sipas një deklarate që lëshoi ministria e jashtme ruse.
Takimi gjati 30 minuta, ndërsa Rubio kur u pyet për dërgesat e armëve të përmendura nga Moska u përgjigj:
“Ne shesim armë përmes PURL… Nuk ka pasur asnjë ndryshim në politikën tonë në këtë drejtim.”
E lançuar vitin e kaluar, iniciativa PURL i lejon Ukrainës të marrë pajisje amerikane të blera nga aleatët e Uashingtonit në NATO. Pak para se të takoheshin Rubio dhe Lavrov, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se kishte folur me të dërguarit e SHBA-së në një përpjekje për të ringjallur bisedimet e ngecura që synonin t’i jepnin fund luftës disavjeçare.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, nga ana tjetër ka shprehur mbështetje për fushatën e Ukrainës për sulme me dronë me rreze të gjatë veprimi që synojnë infrastrukturën energjetike ruse, duke thënë se kjo mund të “ndihmojë në përfundimin” e konfliktit.
Muajt e fundit, Kievi duket se po e pengon ofensivën e ashpër të Moskës dhe ka zgjeruar ndjeshëm sulmet e saj me dronë kundër Rusisë, duke prishur jetën e zakonshme atje në vitin e pestë të luftës.



