LajmeRajon

Krasniqi-Kurtit: Ke tradhëtuar votuesit e tu, sot pranon asocacionin

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka deklaruar sot në Kuvendin e Kosovës se kryeministri Albin Kurti nuk e ka mbajtur premtimin që u ka bërë votuesve sa i takon mos pranimit të asocacionit.

Sipas Krasniqit, Kurti ka tradhtuar militantët e tij duke rrezikuar që t’u japë autonomi politike serbëve të Kosovës.

“Jemi në ditën e parë të muajit të shenjtë të Ramazanit dhe shfrytëzoj rastin që të gjithë besimtarët e komuniteti mysliman, të gjithë agjëruesve anë e mbanë t’ju uroj agjërim të lehtë, pranim të këtij agjërimi dhe po ashtu sa më shumë solidaritet, paqe e mirësi mes njëri-tjetrit. Sepse është evidente që kemi nevojë, si popull e si komb.

Por, sot jemi këtu për një temë të cilën në javët e fundit veçanërisht, por në dy vitet e fundit në përgjithësi kemi diskutuar e folur shumë, edhe pse jo në Kuvendin e Kosovës duke dashur që t’i japim hapësirë kryeministrit që të punojë pa u penguar për të realizuar qëllimet shtetërore.

Megjithatë, sot jemi dëshmitarë të degradimit esencial të gjithë procesit të dialogut. Dhe pyetja e parë që duhet t’i bëjmë kryeministrit është: Çfarë ka, çfarë s’ka? A ka Zajednicë, a ka asocacion? Sepse me një fjali mbrëmë kryeministri i Kosovës e ka përmbysur të gjithë jetën e tij politike, por unë së paku e uroj për sinqeritetin e tij. Sepse, po! Ka asocacion siç thatë ju mbrëmë, ka pasur sa herë që edhe ke thënë që s’ka. Por, loja me fjalë e ka afatin e skadimit. Loja skadon atëherë kur duhet të nisësh ndërmarrjen e veprimeve dhe kryeministri veprimet i ka marrë mbi vete e për ironi të fatit dhe të Kosovës fatkeqësisht e në vilën e Josip Broz Titos, kasapit të shqiptarëve i ka pranu të gjithë ato që ka premtuar që s’do i pranonte kurrë.

Kapërcimin më të madh ndonjëherë në politikën shqiptare e ka bërë Albin Kurti kur ka kaluar me këtë pajtim prej Vetëvendosje e jo negociata, në po negociata dhe vetëvendosje për serbët e Kosovës. Unë vërtet them se nuk ka bërë tradhti kombëtare, ama tradhti ndaj ndjekësve të tij, votuesve të tij, ndaj militantëve të tij padyshim që po, sepse u ka premtuar që nuk ka për të pasur asocacion, por sot jo vetëm e ka pranuar, por ka rrezikuar t’u japë autonomi politike serbëve të Kosovës. S’ka mbetur më thuajse asgjë për t’u thënë për këtë marrëveshje”, tha Krasniqi nga foltorja e Kuvendit të Kosovës.

Related Articles

Back to top button
Close
Close