
Kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri, njëherazi një nga figurat kyçe të kësaj partie në Njësinë Zgjedhore 2, nuk ka marrë pjesë sot në eventin e VLEN-it, të organizuar me rastin e 24 muajve qeverisje.
Ky veprim i Beqirit vjen vetëm disa ditë pasi kryetari i Haraçinës u neglizhua tërësisht nga krerët e VLEN-it, si Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Adnan Azizi, në ngjarjen madhore të organizuar me rastin e 25-vjetorit të Betejës së Haraçinës dhe 30-vjetorit të themelimit të Komunës.
Në këtë ngjarje, ku morën pjesë shumë veprimtarë kombëtarë, nuk kishte as përfaqësues të VLEN-it nga pushteti qendror, si për shembull zëvendëskryeministri Bekim Sali apo ndonjë nga ministrat.
Ora24.tv kërkoi qëndrim nga kryetari i Komunës së Haraçinës, Daut Beqiri. Ai konfirmoi se nuk është prezent në eventin e sotëm.
“Po, nuk jam sot në ngjarjen për prezantimin e 24 muajve qeverisje. Arsyet janë tepër personale, nuk mund të them asgjë më shumë”, deklaroi Beqiri.
I pyetur nëse po u hakmerret për bojkotin që iu bë në eventin e 25-vjetorit të Betejës së Haraçinës, apo nëse po ia kthen shpinën VLEN-it, Beqiri as nuk e pohoi e as nuk e mohoi një gjë të tillë, por shkurt u përgjigj:
“Çka kisha për të thënë, e thashë.”
Mospjesëmarrja e kryetarëve dhe funksionarëve të VLEN-it në eventin e Haraçinës, por edhe në aktivitete me përmbajtje kombëtare, po ndodh pikërisht gjatë procesit të negociatave për rekonstruimin e Qeverisë.
Për organizimin në Haraçinë, Daut Beqiri mori vlerësime të mëdha nga pjesëmarrësit dhe aktivistët e çështjes kombëtare shqiptare. Ndërkohë, në rrjetet sociale pati reagime të shumta nga qytetarët kundër krerëve të VLEN-it./Ora24.tv



