Sport

Kosova pret Greqinë për suksesin e parë, Challandes në telashe prej mungesave

Përfaqësuesja e Kosovës e nisi edicionin e dytë të Ligës së Kombeve me një hap fals përballë Moldavisë në stadiumin asnjanës “Ennio Tardini” të Parmës, pasi nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1, ndonëse pati kontrollin e lojës dhe krijoi shumë mundësi shënimi.

Megjithatë “dardanët” kanë lënë pas krahëve atë takim, pasi mbrëmjen e sotme do të presin në stadiumin “Fadil Vokrri” të Prishtinës, Greqinë në një derbi ballkanik që luhet për herë të parë mes këtyre dy skuadrave.

Grekët janë skuadra favorit për kreun e grupit 3 të Ligës C dhe ashtu si Kosova, sonte do të kenë synim marrjen e tre pikëve, pasi edhe ata morën vetëm një barazim pa gola në ndeshjen e parë në transfertë ndaj Sllovenisë.

Trajneri zviceran i Kosovës, Bernard Challandes pranoi faktin që grekët janë favoritë në këtë takim, por edhe për kreun e grupit, megjithatë theksoi se skuadra e tij është e përgatitur për një 90-minutësh të luftuar, ku do të kërkojë fitoren.

Por përtej optimizmit, Challandes do të duhet të bëjë llogaritë edhe me mungesat e shumta për sfidën e mbrëmjes së sotme, pasi përveç Muriqit e Zhegrovës, që nuk u grumbulluan fare për shkak dëmtimi, nuk kanë ardhur me skuadrën në Kosovë as 6 futbollistë të tjerë.

Bëhet fjalë për emra si Rashica, Shala, Kryeziu, Kololli, Paçarada e Rashani, pjesa më e madhe e të cilëve kanë veshur thuajse gjithmonë fanellën e titullarit te “Dardanët”, por nuk janë lejuar nga klubet përkatëse që të udhëtojnë drejt Kosovës.

I ndodhur në këtë situatë, Challandes ka thirrur me urgjencë në grumbullim edhe mesfushorin e Partizanit Rron Broja e mbrojtësin e Ballkanit Armend Thaçi, ndërsa grupit i janë bashkuar edhe futbollistët e ardhur nga U21-shi si Kastrati, Xhemajli e Muslija.

Show More

Related Articles

Back to top button
Close
Close