LajmeMaqedoniTopLajm

ESHA: Pajisjet e blera për kontrollin e cilësisë së derivateve u shfrytëzuan në mënyrë joefikase nga Byroja e Metrologjisë

Auditimi i Byrosë së Metrologjisë për vitin 2024 ka evidentuar se pajisje të rëndësishme, përfshirë laboratorin mobil për testimin e naftës dhe derivateve të saj, nuk janë përdorur në mënyrë efikase. Enti Shtetëror i Auditimit (ESHA) ka konstatuar gjithashtu se disa asete të prekshme nuk janë regjistruar në librat afaristë të institucionit.

Raporti ka nxjerrë në pah parregullsi dhe mospërputhje në funksionimin e Byrosë. Për shkak të rëndësisë së gjetjeve, ESHA ka dhënë opinion të pafavorshëm për vërtetësinë dhe objektivitetin e pasqyrave financiare, si dhe për respektimin e rregullave ligjore, udhëzimeve dhe politikave në fuqi.

Sipas auditimit, deri më 31.12.2024 nuk ishte siguruar përputhja mes të dhënave kontabël dhe gjendjes reale të përcaktuar përmes inventarizimit, për shkak të mangësive në evidentimin e aseteve, të arkëtueshmeve dhe detyrimeve.

Një pjesë e aseteve, me vlerë 145,191 mijë denarë, ose rreth 2.3 milionë euro, të blera gjatë viteve të mëparshme, nuk figurojnë ende në librat afaristë dhe në Bilancin e Byrosë. Shkak për këtë është moskalimi i tyre në Ministrinë e Ekonomisë dhe Punës. Po ashtu, është gjetur një diferencë prej 5.544 mijë denarësh mes bilancit kontabël dhe gjendjes së përcaktuar nga inventari i aseteve fikse.

Gjatë vitit 2024, Byroja bleu vula, pulla, pulla verifikimi dhe procesverbale në vlerë të përgjithshme prej 4.266 mijë denarësh. Prej kësaj shume, 646 mijë denarë u paguan nga llogaria buxhetore 631-18, ndërsa 3.620 mijë denarë nga llogaria buxhetore 631-13. Për këto materiale nuk u krijuan evidenca kontabël dhe materiale, edhe pse ato përdoren gjatë verifikimit të instrumenteve matëse dhe shërbejnë si bazë për krijimin e të ardhurave të Byrosë.

Probleme janë konstatuar edhe në evidentimin dhe arkëtimin e shumave që lidhen me shërbimet e ofruara. Në Bilancin e Gjendjes më 31.12.2024, të arkëtueshmet nga klientët figuronin në vlerën 40.549 mijë denarë. Megjithatë, për disa klientë ishte paraqitur saldo negative, në shumën 11.735 mijë denarë, çka ka bërë që vlera reale e të arkëtueshmeve të mos pasqyrohej në pasqyrat financiare.

Auditimi ka treguar gjithashtu se të arkëtueshmet nga faturat e shërbimeve të homologimit nuk regjistrohen në kohën e duhur. Për këtë arsye, gjatë vitit 2024 u regjistruan të arkëtueshme në vlerë totale prej 14,193 mijë denarë: 10,034 mijë denarë në llogarinë 631-18 dhe 4,159 mijë denarë në llogarinë 631-13. Nga kjo shumë, 2,322 mijë denarë i përkisnin faturave të lëshuara në vitin 2023. Ndërkohë, gjatë vitit 2025 u regjistruan të arkëtueshme në shumën 1,477 mijë denarë për faturat e lëshuara në vitin 2024.

Në kapitullin “Theksimi i Çështjeve”, ESHA ka veçuar edhe shfrytëzimin e pamjaftueshëm të pajisjeve të blera për analizimin e cilësisë së karburanteve të lëngshme. Në vitin 2019, pas një vendimi të Qeverisë, Byroja bleu një laborator mobil për kontrollin e cilësisë së naftës dhe derivateve të saj, me vlerë 37.367 mijë denarë. Dy vjet më vonë, në vitin 2021, u blenë pajisje shtesë në vlerë 24.758 mijë denarë.

Megjithëse për këto pajisje janë investuar fonde të konsiderueshme, gjatë vitit 2024 nuk u realizua asnjë analizë përmes laboratorit mobil. Sipas raportit, kjo ndodhi pasi Inspektorati Shtetëror i Tregut, si organi kompetent, nuk paraqiti kërkesa për analiza, edhe pse me Byronë kishte lidhur marrëveshje për përdorimin e laboratorit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close