Planet urbanistike në fshatra sigurisht që do të parandalojnë edhe braktisjen e tyre, meqë deri tani ka pasur fshatra të cilët kanë mbetur pa popullatë, u tha në seancë.
Pushteti vendor në Dibër filloi të sjellë plane urbanistike edhe për vendbanimet rurale. Këshilli Komunal, në seancën e fundit, unanimisht aprovoi Planin Urbanistik për fshatin Xhepishtë, por sipas Sektorit për Urbanizëm pranë Komunës së Dibrës, shumë shpejt do të sillen edhe plane urbanistike për fshatrat e tjerë.
Udhëheqësi i Sektorit për Urbanizëm pranë Komunës së Dibrës, Gazmend Cami, tha se bëhet fjalë për planin e parë urbanistik për fshatrat, i cili ka një domethënie shumë të madhe për urbanizimin edhe të vendbanimeve rurale. “Ky plan në territorin e komunës vlen deri në vitin 2032 dhe me të parashihen lokacione për aktivitete biznesi, ndërtime të objekteve banesore, si dhe lokalitete për investime në sfera të tjera”, tha Cami dhe shtoi se me planet urbanistike jepet mundësi për zhvillim më të shpejtë të fshatrave në Komunën e Dibrës.
Po sipas tij, në klasifikimin e prioriteteve, planet urbanistike së shpejti do të përfshijnë fshatrat me popullatë më të madhe, siç janë fshatrat Mogorçë, Kosovrast i Poshtëm dhe Kosovrast i Epërm, kurse në fazën e dytë edhe fshatrat me popullatë më të vogël. Në debatin që u zhvillua në lidhje me planet urbanistike të fshatrave, nga ana e këshilltarëve komunalë u potencua fakti se vendbanimet rurale, veçmas ato që kanë mundësi për hapjen e bizneseve, si dhe ndërtimin e objekteve për banim, do të kenë mundësi që sa më shpejt të modernizohen, por edhe të hapin vende të reja të punës.
Të theksojmë se ka fshatra në komunë të cilët kanë potencial të madh për zhvillimin e turizmit, siç është fshati Kosovrast i Poshtëm, ku janë edhe ujërat termale, pastaj Mogorçja, ku ka mundësi të mëdha për zhvillimin e turizmit malor, por edhe fshatra ku ka një potencial të madh për zhvillimin e bujqësisë, ndërtimin e fermave dhe zhvillimin e bletarisë. Planet urbanistike në fshatra sigurisht që do të parandalojnë edhe braktisjen e tyre, meqë deri tani ka pasur fshatra të cilët kanë mbetur pa popullatë, u tha në seancë.



