
Prokuroria Speciale ka zbuluar një shumë të të hollave në vlerë të përgjithshme prej 681 mijë dinarësh, apo afër gjashtë mijë euro, të cilat Fatmir Sheholli i kishte pranuar nga autoritetet në Serbi.
Kjo shumë e përgjithshme e të hollave ishte pranuar nga Sheholli në vitin 2015, në llogarinë e tij në Komercialna Banka, ka zbuluar Prokuroria.
Pagesat i kishin ardhur nga dy institucione: agjencia shtetërore e lajmeve “Tanjug” në Serbi dhe e ashtuquajtura Zyrë për Kosovë në qeverinë serbe.
“Nga dëshmia A#21 rezulton se i pandehuri Fatmir Sheholli, gjatë vitit 2015, ka pranuar në mënyrë të rregullt pagesa mujore në llogarinë e tij në Komercialna Banka A.D. Beograd nga dy institucione shtetërore të Republikës së Serbisë, përkatësisht Agjencia Shtetërore e Lajmeve “Tanjug” në shumën totale prej 386.000 dinarësh dhe “Kancelarija za Kosovo I Metohija” në shumën prej 295.000 dinarësh, apo gjithsej 681.000 dinarë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë ndaj të dyshuarit për spiunazh, Fatmir Sheholli.
Sipas Prokurorisë, pranimi i këtyre pagesave periodike “nga institucione shtetërore serbe që direkt janë të lidhura me BIA-në, përbën fakt notor që dëshmon financimin dhe angazhimin e tij në interes të një shteti të huaj, konkretisht nga Serbia dhe në ndërlidhje me provat e tjera të rastit vërtetohet edhe përtej dyshimit të bazuar mirë se i pandehuri ka ndërmarr veprimtari spiunazhi në dobi të BIA-së e në dëm të interesave të Republikës së Kosovës.”



