
Teherani i ka përcjellë Washingtonit përmes shefit të ushtrisë pakistaneze, Asim Munir, kushtet e tij lidhur me Ngushticën e Hormuzit, raportoi të martën agjencia gjysmëzyrtare iraniane e lajmeve Tasnim, transmeton Anadolu.
Tasnim citoi një burim pranë ekipit negociator iranian të ketë thënë se vizita e Munirit nuk kishte për qëllim përcjelljen e një kërcënimi, por komunikimin e qëndrimit të Teheranit dhe krijimin e kushteve për bisedime të mundshme.
Burimi, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka thënë se qëndrimi i Teheranit i është përcjellë qartë palës pakistaneze gjatë takimeve ku mori pjesë edhe Munir.
Sipas Tasnimit, kushtet e Teheranit përfshijnë kërkesën që SHBA-ja t’i rikthehet Memorandumit të Mirëkuptimit të Islamabadit dhe të zbatojë dispozitat e tij.
Irani kërkon në mënyrë specifike zbatimin e nenit 5 të memorandumit, i cili përcakton rregullat lidhur me Ngushticën e Hormuzit.
Neni 5 parashikon që Irani të garantojë kalimin e sigurt të anijeve tregtare përmes rrugës ujore dhe të konsultohet me Omanin për menaxhimin e ardhshëm të ngushticës, përfshirë shërbimet detare.
Munir vizitoi Teheranin të hënën, ku u takua me presidentin iranian Masoud Pezeshkian, kryetarin e parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, dhe sekretarin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Mohsen Rezaei.
Në fund të shkurtit, SHBA-ja dhe Izraeli nisën një sulm të befasishëm ndaj Iranit, duke e nxitur Teheranin të kundërpërgjigjej me sulme ndaj Izraelit dhe objektivave ushtarake amerikane në gjithë rajonin.
Në mesin e qershorit, Washingtoni dhe Teherani, me ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Katarit, nënshkruan memorandum mirëkuptimi, por zbatimi i marrëveshjes përfundimisht ngeci për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me Ngushticën e Hormuzit.
Muajin e kaluar, SHBA-ja rifilloi sulmet e saj ushtarake ndaj Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke goditur asetet ushtarake amerikane në disa shtete arabe aleate të Washingtonit.


