
Në sallën solemne të Qeverisë, sot u nënshkrua Kontrata për projektimin dhe ndërtimin e interkonektorit të gazit ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë, duke shënuar kështu fillimin zyrtar të aktiviteteve konkrete për realizimin e një tjetër projekti strategjik energjetik për ndërlidhjen rajonale dhe diversifikimin e furnizimit me gaz natyror.
Kontratën e nënshkruan drejtori i NOMAGAS-it, Nedim Rama, dhe drejtori i kompanisë “Rapid Build”, e përzgjedhur si realizuese e projektit. Në nënshkrim morën pjesë kryeministri i Qeverisë, Hristijan Mickoski, dhe ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Lëndëve të Para Minerale, Sanja Bozhinovska.
Me nënshkrimin e kontratës, projekti kalon nga faza e përgatitjes në realizimin e tij konkret. Interkonektori do të lidhë sistemet e gazit të Maqedonisë dhe Serbisë përmes një traseje prej rreth 70 kilometrash, nga të cilat rreth 23 kilometra në territorin e Maqedonisë dhe rreth 47 kilometra në territorin e Serbisë. Në anën maqedonase, interkonektori do të lidhet me gazsjellësin ekzistues pranë Kleçovcës, ndërsa në Serbi me rrjetin e gazsjellësit në afërsi të Vranjës.
„Sot po vendosim bazën infrastrukturore për një ndërlidhje të re energjetike të Maqedonisë me rajonin dhe Evropën. Me interkonektorin me Serbinë hapim qasje në burime të reja të gazit, rrisim sigurinë e furnizimit dhe krijojmë kushte që Maqedonia të ketë një rol shumë më të fuqishëm në sistemin rajonal të gazit”, theksoi ministrja Bozhinovska.. Ajo theksoi se ky projekt merr një rëndësi edhe më të madhe me ndërtimin e interkonektorit me Greqinë.
„Me lidhjen me Greqinë dhe Serbinë, Maqedonia nuk do të jetë më vetëm pikë fundore e një rruge të gazit. Po ndërtojmë pozitën e një vendi që është i lidhur me tregjet rajonale dhe që mund të jetë një lidhje tranziti dhe energjetike ndërmjet jugut dhe veriut të Evropës. Kjo është pamja strategjike drejt së cilës po ecim”, deklaroi Bozhinovska.
Interkonektori i gazit Maqedoni–Serbi është një projekt me rëndësi strategjike për diversifikimin e burimeve dhe drejtimeve të furnizimit me gaz natyror, por edhe për integrimin më të gjerë rajonal të tregjeve të gazit. Me realizimin e tij, Maqedonia do të ketë qasje në mundësi të reja furnizimi, ndërsa përmes lidhjes me drejtimin jugor dhe verior do të krijohen kushte për fleksibilitet dhe siguri më të madhe të sistemit energjetik rajonal.
Projekti po realizohet në një periudhë kur Maqedonia po punon intensivisht për forcimin e infrastrukturës së gazit dhe vendosjen e më shumë drejtimeve alternative të furnizimit. Aktualishtështë në proces realizimi i interkonektorit të gazit me Greqinë, i cili do të lidhë rrjetin maqedonas të gazit me atë grek dhe do të mundësojë qasje në korridorin jugor të gazit.
Pas përfundimit të interkonektorëve me Greqinë dhe Serbinë, Maqedonia do të jetë e lidhur me sistemet e gazit si në jug, ashtu edhe në veri, duke hapur mundësinë që vendi të shndërrohet në një pikë të rëndësishme tranziti rajonal për gazin natyror dhe pjesë e korridorit më të gjerë energjetik evropian.
„Qëllimi ynë është i qartë – Maqedonia të mos varet nga një rrugë e vetme e gazit. Me diversifikimin e drejtimeve dhe burimeve të furnizimit, rrisim sigurinë energjetike, zvogëlojmë ekspozimin ndaj krizave të ardhshme dhe krijojmë kushte më të mira për qytetarët dhe ekonominë. Kjo është një infrastrukturë që do të shërbejë për dekada dhe prandaj e shohim atë si një investim në stabilitetin afatgjatë energjetik të Maqedonisë”, theksoi Bozhinovska.
Përveç rëndësisë kombëtare, interkonektori Maqedoni–Serbi ka edhe një dimension më të gjerë rajonal. Lidhja e sistemeve të gazit do të kontribuojë në krijimin e një tregu rajonal të integruar dhe më fleksibël, me mundësi për transport të gazit natyror në të dyja drejtimet dhe shfrytëzim më të mirë të infrastrukturës ekzistuese dhe asaj të re.
Për më tepër, projekti është planifikuar duke marrë parasysh zhvillimin e ardhshëm të sistemit energjetik dhe mundësitë për transportin e hidrogjenit, në përputhje me objektivat afatgjata evropiane për dekarbonizimin dhe tranzicionin energjetik.
Ministria e energjisë, minierave dhe burimeve minerale, së bashku me NOMAGAS-in dhe institucionet partnere nga Serbia, vazhdon me realizimin e koordinuar të projektit, me qëllim që ndërtimi të zhvillohet sipas dinamikës së parashikuar. Me nënshkrimin e sotëm, Maqedonia ndërmerr edhe një hap konkret drejt një sistemi energjetik të diversifikuar, të ndërlidhur dhe të sigurt – një sistem në të cilin vendi nuk është vetëm konsumator, por edhe një korridor potencial energjetik rajonal.



