LajmeSport

Inter, Mkhitaryan dhe objektivi i tij: Dua të fitoj Champions League përpara tërheqjes

Henrikh Mkhitaryan tashmë është futbollisti më i vjetër në moshë te Interi pas largimit të Acerbit dhe Sommer. Por për armenin ky fakt nuk duket se ndihet shumë. Në fakt ai vendosi të rinovojë kontratën me zikaltrit pasi mendon se edhe pse është 37 vjeç e gjysmë ai e ndjen veten se ka ende forca. Dhe kjo u pa pjesërisht edhe në derbin me Milanin e zhvilluar në Perth.

Për talentin, kurrikulumin dhe personalitetin e tij, Mkhitaryan do të jetë një pikë referimi e çmuar për një skuadër që po e ul moshën mesatare. Deri kur? Ai nuk e thotë këtë duke mbajtur hapur çdo zgjidhje

Në çfarë pike jeni me përgatitjet?

‘Po stërvitemi mirë. Nuk është e lehtë me udhëtimet dhe ndryshimet e orës, por po bëjmë maksimumin për të përgatitur një tjetër sezon të shkëlqyer’

Çfarë të bindi që zgjate aventurën tënde me Interin? A more garanci nga Chivu?

‘Nuk mora asnjë garanci, nuk do të ishte e drejtë, sepse duhet ta tregoj në fushë nëse e meritoj apo jo një vend në skuadër. Por unë e ndjej se mund të luaj në një nivel të mirë edhe një vit dhe kështu bashkë me klubin vendosa që të qëndroj edhe një vit te Interi, më pas të shohim’.

Çfarë roli mendon se do të kesh te kjo skuadër?

‘Të zakonshmin. Gjithnjë jam stërvitur në maksimum për të qenë një shembull për të tjerët, sidomos për më të rinjtë’

​Si është rritja e Stakonvic që mund të luajë përkrah teje?

‘Ka ndërmarrë rrugën e duhur; i duhet pak kohë për t’u përshtatur me realitetin e ri edhe pse ai e njeh Interin që nga sektori i të rinjve. Një gjë është të luash me ekipet zinxhirë dhe një gjë tjetër është skuadra e parë. Por dy vitet që luajti jashtë treguan se ai e meritonte kthimin në bazë’.

Çfarë do t’i këshilloje?

‘Duhet të jetë më i shpejtë. Është shumë e rëndësishme kur je në atë zonë të fushës. Është e nevojshme të menaxhosh kohët e lojës, të dish kur t’i përshpejtosh  dhe kur t’i ngadalësosh. Aleksandar po bën mirë, por jam i sigurt se dalngadalë do të bëjë akoma më mirë’.

Në sezonin e fundit, titulli ishte prioriteti juaj, pas zhgënjimeve të vitit paraardhës. Tani cili do të jetë objektivi kryesor?

‘Ne, në realitet nuk jemi tërhequr kurrë. Sapo kemi fituar dy trofe, tani do të kërkojmë të luajmë më mirë në 4 fronte; përfshij këtu edhe Superkupën, përveç Champions League. Nuk mund të dijmë se çfarë na rezervon e ardhmja, ka vite kur fiton dhe të tjerë kur humbet. E rëndësishme është që të jesh gati për të përballuar të gjitha sfidat dhe ne jemi gati. Gjithmonë’.

Nga rinjtë që i janë shtuar skuadrës, cili të ka bërë më shumë përshtypje?

‘I njihja mirë të gjithë sepse stërviten shpesh me ne gjatë javës. E ndjej veten vetëm në gjendje që t’iu rekomandoj që të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe të vazhdojnë të punojnë. Vetëm kështu mund të dalin në dritë; por edhe nëse nuk do të mund të luajnë te Interi, gjithsesi do të jenë futbollistë të Serie A’.

Topalovic të ngjan pak për aftësitë e tij për të luajtur mes linjave

‘E patë në Bologna përpara pak muajsh, në kampionatin e fundit kur shpiku atë pasim në vertikal. I uroj më të mirën sepse i ka mjetet për t’u bërë një futbollist i shkëlqyer’

Si përfundim, Mkhitaryan thuaj të vërtetën: është ky viti i fundit i karrierës tënde?

‘Nuk e di’

Si, nuk e di?

‘Është e pamundur që ta vendos sot. Duhet të kuptoj sesi do të jem në fund të këtij sezoni. Në moshën time nuk ka kuptim të bëj programe afatgjata’

Çfarë të mungon në karrierë për t’u tërhequr i lumtur?

‘Shumë gjëra, mund të kisha bërë më shumë…’.

Thuaj një.

‘Champions League. Dua të fitoj Champions-in. Iu afrova shumë 2 herë, ndoshta herët a vonë ia dal mbanë’

Related Articles

Back to top button
Close
Close