
Dalja e qytetit të Tetovës në drejtim të Shkupit vazhdon të mbetet një nga pikat më problematike për qarkullimin rrugor, por autoritetet lokale po bëhen gati për një ndërhyrje radikale
Rrethrrotullimi në dalje të Tetovës, afër ish-Monopolit, vazhdon edhe më tej të jetë pika më kritike në komunikacionin rrugor në Tetovë. Në këtë rrethrrotullim takohen mijëra automjete të cilët kanë destinacione të ndryshme, pasi që një pjesë e tyre vazhdojnë për në daljen drejt Shkupit, të tjerët drejt dy universiteteve që lidhet me daljen për në Gostivar, kurse një pjesë si destinacion kanë qendrën e qytetit. Kjo pjesë e qytetit poashtu shfrytëzohet edhe nga banorët e Komunave të Tearcës dhe Jegunocit, të cilët shmangin hyrjen brenda në qytet. Pikërisht në këtë rrethrrotullim shkaktohen kolona të gjata kilometrike duke penguar lëvizjen e lirë të automjeteve që nuk e kanë destinacion final brendinë e qytetit.
Ndërkaq, edhe këtë verë, kjo pikë kritike në Tetovë është mjaft e ngarkuar, ndërsa kësaj situate i ka “ndihmuar” ardhja e mërgimtarëve dhe shtimi enorm i automjeteve duke paralizuar këtë zonë. Autoritetet lokale në Tetovë po bëhen gati për një ndërhyrje në këtë pjesë ndërsa nuk jepen afate konkrete. Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka bërë të ditur për Gazetën KOHA se tashmë ekziston një plan konkret për zgjidhjen e këtij kaosi disavjeçar përmes ndërtimit të një nënkalimi ose mbikalimi.
Sipas Kasamit, ky projekt vjen si rrjedhojë e gjetjeve të Planit të Mobilitetit, i cili e ka specifikuar këtë zonë si pikën më të ngarkuar të infrastrukturës rrugore në qytet. Kreu i komunës potencoi se institucioni që ai drejton është në fazën e shqyrtimit të të gjitha opsioneve teknike dhe ekonomike për të jetësuar këtë projekt, i cili synon të ofrojë një zgjidhje përfundimtare për vozitësit. “Edhe në planin e mobilitetit është identifikuar si pika më kritike në infrastrukturën rrugore në qytetin tonë. Në bazë të propozimit të shtëpisë që e ka përpiluar planin e mobilitetit, aty problem duhet të zgjidhet me nënkalim, pra kryqëzimi I dy bulevardeve të bëhet me nënkalim ose mbikalim dhe në bazë të propozimit që është dhënë, ne jemi duke shqyrtuar opsionet e mundshme për rregullimin afatgjatë të këtij kryqëzimi”, deklaroi Bilall Kasami.
Ky aks rrugor, i cili lidh dy nga bulevardet kryesore të Tetovës dhe shërben si pjesa hyrëse drejt autostradës për në Shkup, përballet çdo ditë me bllokime të gjata. Ndërtimi i një kryqëzimi me nënkalim ose mbikalim pritet të shkarkojë plotësisht trafikun dhe të rrisë sigurinë e pjesëmarrësve në komunikacion. Nga ana tjetër, kaosi në këtë zonë, parqet problem të madh edhe për vozitësit e autobusëve, pasi që aty afër është edhe stacioni i autobusëve. Vozitësit gjithnjë e më shumë janë duke u ankuar për këtë situatë pasi që shkaktohen vonesa të mëdha në temperatura të larta. Sipas tyre, çdo vonesë e mëtutjeshme në realizimin e këtij projekti vetëm sa do të rëndojë më tej gjendjen kaotike në këtë aks rrugor dhe do të ngulfate plotësisht lëvizjen e lirë.



