LajmeMaqedoni

MakeDox me 71 dokumentarë në edicionin e 17-të

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar Kreativ MakeDox do të mbahet nga 20 deri më 27 gusht, nën moton „Vetëm ëndrra është realitet“. Në edicionin e 17-të, gjatë tetë ditëve do të shfaqen 71 filma dokumentarë, ndërsa programi do të shoqërohet me pjesëmarrjen e më shumë se 100 mysafirëve nga jashtë, klasa master, punëtori, diskutime dhe panele. Në kuadër të festivalit, nga 25 deri më 27 gusht do të zhvillohet edhe forumi dyditor “MakeCoProDox”, i dedikuar zhvillimit të projekteve dokumentare nga rajoni.

Edicioni i sivjetshëm i MakeDox do t’i kushtohet kritikës së filmit dhe veprimtarisë së Ilindenka Petrushevës (1944–2025), kritike e filmit, publiciste, studiuese dhe bashkëpunëtore shumëvjeçare e Kinotekës së Maqedonisë. Ajo ishte e angazhuar në hulumtimin, studimin, mbledhjen, arkivimin dhe promovimin e artit filmik në vend, ndërsa përmes punës së saj kontribuoi edhe në krijimin e arkivit të filmit.

Një mbrëmje kushtuar veprimtarisë së saj do të organizohet më 22 gusht, në orën 19:00, në Suli An. Sipas organizatorëve, Petrusheva ka pasur një rol të rëndësishëm edhe në zhvillimin e skenës dokumentare dhe në krijimin e hapësirave për brezat e rinj të regjisorëve dhe dashamirësve të filmit.

„Ilinka ishte një ëndërrimtare e madhe dhe një luftëtare për ëndrrat e saj, por edhe për ëndrrat e të tjerëve, përfshirë edhe ëndrrën tonë – MakeDox. Me energjinë e saj, gjatë gjithë këtyre viteve ajo ndikoi në krijimin e brezave të rinj të regjisorëve dhe dashamirësve të filmit dhe na mësoi se kinemaja nuk është vetëm një hapësirë, por edhe një gjendje shpirtërore“, tha Petrula Veljanovska, koordinatore e programit të MakeDox, gjatë prezantimit të programit të festivalit.

Programi kryesor do të përfshijë dhjetë dokumentarë të vlerësuar me çmime në festivale ndërkombëtare. Në Programin e Autorëve të Rinj do të shfaqen 13 filma, ndërsa programi do të përfshijë edhe dhjetë dokumentarë të shkurtër që kanë tërhequr vëmendjen në skenën ndërkombëtare të filmit dokumentar, si dhe tetë filma studentorë.

Spanja do të jetë vendi në fokus i këtij edicioni, me shtatë filma të gjatë dhe disa dokumentarë të shkurtër. Në festival do të marrin pjesë edhe regjisorë nga Spanja, të cilët do të zhvillojnë klasa master.

Në program janë edhe dy dokumentarë maqedonas që do të shfaqen në kuadër të festivalit. Bëhet fjalë për „Rrënojat“ të Elena Çemerskës, i cili pati premierën botërore në Festivalin e Filmit të Shangait, dhe „Njerëz të mirë“ të Milço Mançevskit, dokumentar kushtuar tragjedisë në Koçan.

Programi shoqërues do të përfshijë diskutime për gjendjen e kritikës së filmit sot, si dhe për gjendjen e kinemave në Shkup, në prag të vitit 2028, kur kryeqyteti do të jetë Kryeqyteti Evropian i Kulturës. Në program janë edhe „Biseda nën Pemën e Fikut“, „Biseda të Natës“, punëtori për fëmijë dhe aktivitete të tjera.

Festivali do të zhvillohet në pesë lokacione në Shkup: Kurshumli An, Muzeu i Maqedonisë, Suli An, „Laboratorium“ dhe Teatri Shqiptar në Shkup.

Related Articles

Back to top button
Close
Close