BotaLajme

Zbulohet plantacion i madh kanabisi në Lucernë, arrestohen dy shqiptarë

Policia e Lucernës ka zbuluar një plantacion të madh kanabisi në Menznau, ndërsa në kuadër të operacionit janë arrestuar tre persona, mes tyre dy shtetas shqiptarë.

Sipas autoriteteve të Lucernës, aksioni është zhvilluar më 5 gusht 2026 në zonën Rötelberg të Menznau-s, ku policia zbuloi një plantacion profesional të kanabisit në ambient të hapur.

Gjatë ndërhyrjes, dy persona tentuan të largoheshin nga vendi, por u kapën nga policia me ndihmën e qenit policor “Quanto”.

Tre personat e arrestuar janë dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas zviceran, të moshës ndërmjet 28 dhe 42 vjeç.

Sipas Policisë së Lucernës, plantacioni shtrihej në një sipërfaqe prej rreth 1.3 hektarësh. Në vend u gjet gjithashtu infrastruktura e nevojshme për kultivimin dhe përpunimin e bimëve të kanabisit.

Analizat laboratorike të kryera më pas kanë treguar se te disa prej bimëve përmbajtja e THC-së ishte deri në 12 herë më e lartë se kufiri i lejuar ligjor.

Në lidhje me plantacionin janë iniciuar procedura penale ndaj gjithsej gjashtë personave.

Hetimet për rastin po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë Publike të Sursee-s.

Autoritetet zvicerane kanë rikujtuar se për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast vlen prezumimi i pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close