LajmeMaqedoni

Lukova e Piskupishta shpëtojnë, Bogovica, Poumi e Zhepini mbyllen! Pollozhani: Diskriminim në Strugë

Kryetari i Degsë së Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Strugë, Faton Pollozjani reagoi sot ashpër ndaj vendimit të Komunës së Strugës për mbylljen e katër shkollave periferike – në Bogovicë, Zhepin, Poum dhe Nerez – duke akuzuar autoritetet komunale për zbatim jo të njëjtë të kritereve dhe duke kërkuar transparencë të plotë rreth procesit vendimmarrës.

Në reagimin e tij, Pollozhani thekson se vendimi u mor pa një analizë të qartë dhe transparente, dhe se pyetjet e ngritura nga ana e këshilltarëve të AKI nuk kanë marrë përgjigje konkrete nga Komuna. Sipas Pollozhanit, rasti i shkollës në Nerez është veçanërisht domethënës, pasi aty aktualisht nuk ka asnjë nxënës të regjistruar.

Pika qendrore e kritikave të kryetarit të Degës lidhet me arsyetimin zyrtar për mbylljen e shkollave në Bogovicë, Zhepin dhe Poum – numri i ulët i nxënësve. Sipas Pollozhanit, ky argument bie ndesh me faktin se shkolla periferike të ngjashme, si ato në Lukovë dhe Piskupishtë, në kuadër të Shkollës Fillore “Jabllanicë”, ndodhen në një gjendje të krahasueshme për sa i përket numrit të nxënësve, por nuk janë përfshirë në listën për mbyllje.

“Nëse kriteri është numri i nxënësve, atëherë pse ky kriter nuk zbatohet njësoj për të gjithë?”, pyet Pollozhani, ku thekson se çështja nuk duhet parë si polemikë politike, por si çështje e trajtimit të barabartë të vendbanimeve dhe të fëmijëve që jetojnë në to.

Kryetari i Degës së BDI-së shkon më tej duke vënë në dyshim procesin e vendimmarrjes, duke deklaruar se po krijohet përshtypja se racionalizimi i rrjetit shkollor nuk po bazohet vetëm në nevoja reale dhe kritere uniforme, por edhe në ndikime dhe interesa të caktuara.

Në përfundim të reagimit, Pollozhani kërkon publikisht nga Komuna e Strugës të japë përgjigje konkrete për tri pyetje: cilat janë saktësisht kriteret e përdorura, kush e ka realizuar analizën mbi bazën e së cilës u mor vendimi, dhe pse të njëjtat kritere nuk janë zbatuar njëlloj për të gjitha shkollat periferike në komunë.

“Nëse kriteret ndryshojnë nga një vendbanim në tjetrin, kjo nuk është racionalizim, është standard i dyfishtë dhe diskriminim, i cili nuk mund të pranohet,” përfundon reagimi i tij.

Related Articles

Back to top button
Close
Close