
Rasti i një adoleshenteje afgane, e cila raportohet se ka kaluar 21 muaj në një burg të kontrolluar nga talebanët pasi kundërshtoi martesën me një komandant lokal, ka shkaktuar reagime të forta mes aktivistëve dhe organizatave që mbrojnë të drejtat e grave.
Në qendër të çështjes është Bibi Sediqa, sot 17 vjeç. Sipas raportimeve të mediave afgane dhe Shoqatës Revolucionare të Grave të Afganistanit (RAWA), ajo u burgos në moshën 14-vjeçare, pasi nuk pranoi të martohej me Maulavi Khodaynazar, një komandant rreth 70 vjeç nga provinca Badghis.
Historia e saj dyshohet se kishte nisur disa vite më herët. Kur Bibi ishte vetëm 12 vjeçe, ajo raportohet se u dërgua të jetonte në shtëpinë e komandantit. Shkak për këtë dyshohet se ishte bërë një borxh i babait të saj ndaj Khodaynazarit.
Sipas burimeve që kanë denoncuar rastin, komandanti më pas kërkoi të martohej me vajzën. Familja pretendohet se është përballur me kërcënime dhe presione për të pranuar martesën, por Bibi nuk ka ndryshuar qëndrim.



