
Imrane Veliu kërkon transparencë dhe aktivizimin urgjent të një plani kombëtar për përballimin e situatës
Tetovasot – BDI ka akuzuar Qeverinë për mungesë të përgatitjes dhe reagim të vonuar ndaj përhapjes së virusit të Nilit Perëndimor në Maqedoninë e Veriut. Në një konferencë për media, Imrane Veliu tha se situata kërkon veprim të koordinuar dhe transparencë të plotë nga institucionet përgjegjëse.
Sipas saj, të dhënat e Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) tregojnë se deri më 13 gusht 2026 në Evropë janë regjistruar 429 raste të virusit të fituara lokalisht, ndërsa 30 prej tyre në Maqedoninë e Veriut. Ajo theksoi se sipas të dhënave më të fundit vendore, numri i rasteve në vend ka vazhduar të rritet.
Veliu shtroi disa pyetje publike për Qeverinë, duke kërkuar të dijë nëse ka ekzistuar një plan paraprak për menaxhimin e situatës, kush ka qenë përgjegjës për mbikëqyrjen epidemiologjike dhe kontrollin e mushkonjave, si dhe cili institucion duhej të koordinonte reagimin kombëtar.
Ajo vlerësoi se virusi i Nilit Perëndimor nuk është një fenomen i panjohur dhe se institucionet shëndetësore kanë pasur kohë të mjaftueshme për të ndërtuar mekanizma parandalues.
Në emër të BDI-së, Veliu kërkoi:
hartimin dhe aktivizimin urgjent të Planit Kombëtar të Gatishmërisë dhe Përgjigjes ndaj virusit të Nilit Perëndimor;
përcaktimin e qartë të përgjegjësive të institucioneve shëndetësore, veterinare, mjedisore dhe pushtetit lokal;
krijimin e mekanizmit One Health për koordinimin e të dhënave epidemiologjike, veterinare dhe mjedisore;
mbikëqyrje sistematike të mushkonjave dhe kontroll të intensifikuar në zonat me rrezik;
miratimin e protokolleve të qarta klinike, laboratorike dhe transfuzive, si dhe një strategji të unifikuar për informimin e publikut.
Sipas saj, edhe komunat duhet të marrin një rol aktiv në identifikimin e zonave problematike, eliminimin e ujërave të ndenjura, kontrollin e mushkonjave dhe informimin e qytetarëve.
Në fund, Veliu kërkoi që Qeveria të sqarojë publikisht nëse ekziston një plan kombëtar për përballimin e virusit, kur është aktivizuar ai, cili institucion e udhëheq procesin dhe cilat masa konkrete po ndërmerren në zonat ku është evidentuar transmetimi aktiv i virusit.
“Qytetarët kanë nevojë për institucione që parashikojnë rrezikun, reagojnë në kohë dhe veprojnë para se situata të shndërrohet në krizë,” theksoi Veliu.
Postimi i plote
Sot po flasim për një çështje që prek drejtpërdrejt shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve: përshkallëzimin e situatës me virusin e Nilit Perëndimor në vend.
Sipas ECDC-së, deri më 13 gusht 2026 në Evropë ishin raportuar 429 raste të fituara lokalisht. Prej tyre, 30 raste ishin në Maqedoninë e Veriut. Sipas të dhënave më të fundit vendore, numri i rasteve në vend është rritur më tej.
Këto të dhëna kërkojnë përgjigje të koordinuar, transparencë dhe masa të bazuara në dëshmi shkencore. Deri tani, qytetarët nuk kanë parë një përgjigje të qartë, të strukturuar dhe të parapërcaktuar nga Qeveria.
Prandaj, sot shtrojmë disa pyetje të drejtpërdrejta:
Çfarë plani kishte Qeveria para përshkallëzimit të situatës?
Kush ishte përgjegjës për mbikëqyrjen epidemiologjike dhe mbikëqyrjen e mushkonjave?
Kush duhej ta koordinonte kontrollin e vektorëve, pushtetin lokal dhe informimin e qytetarëve?
Kush kishte përgjegjësi ta aktivizonte përgjigjen kombëtare që në shfaqjen e rasteve të para?
Këto janë pyetje të sigurisë shëndetësore kombëtare. Qytetarët kanë të drejtë të marrin përgjigje të plota dhe të menjëhershme.
Virusi i Nilit Perëndimor është i njohur. Cikli i transmetimit, sezonaliteti, grupet e rrezikuara dhe masat parandaluese njihen prej vitesh. Sistemi shëndetësor duhej ta mbikëqyrte rrezikun herët dhe të vepronte para se pacientët të përfundonin në spital me forma të rënda të sëmundjes.
Mbikëqyrja duhet ta paraprijë epideminë. Në vendin tonë, qytetarët po shohin reagim pasi situata tashmë është përshkallëzuar.
Mbretëria e Bashkuar, më 21 maj 2026, publikoi Planin Kombëtar të Gatishmërisë për Virusin e Nilit Perëndimor, edhe pse atëherë nuk kishte raste të transmetuara lokalisht te njerëzit. Ai plan përcakton nivelet e rrezikut, mbikëqyrjen, kontrollin e vektorëve, komunikimin publik, sigurinë e gjakut dhe përgjegjësitë e secilit institucion.
Maqedonia e Veriut duhej të kishte të njëjtën qartësi: kush vepron, kur vepron dhe çfarë masash ndërmerren në secilin nivel të rrezikut.
BDI-kërkon:
1. Hartimin dhe aktivizimin e menjëhershëm të Planit Kombëtar të Gatishmërisë dhe Përgjigjes ndaj Virusit të Nilit Perëndimor, me nivele të qarta rreziku dhe masa konkrete për secilin nivel.
2. Përcaktimin e qartë të përgjegjësive të Ministrisë së Shëndetësisë, Institutit dhe Qendrave të Shëndetit Publik, institucioneve veterinare dhe mjedisore, si dhe pushtetit lokal.
3. Krijimin e mekanizmit One Health, i cili integron të dhënat epidemiologjike, insektore, veterinare dhe mjedisore.
4. Aktivizimin e mbikëqyrjes sistematike të vektorëve dhe kontrollit të mushkonjave, veçanërisht në zonat me rrezik të shtuar.
5. Miratimin e protokolleve të qarta klinike, laboratorike dhe transfuzive, së bashku me një strategji të unifikuar për informimin e publikut.
Edhe komunat kanë përgjegjësi. Ato duhet të identifikojnë zonat me rrezik, të kujdesen për higjienën publike dhe eliminimin e burimeve të ujërave të ndenjura, të bashkëpunojnë në kontrollin e mushkonjave dhe t’i informojnë qytetarët. Pushteti lokal duhet të jetë pjesë aktive e përgjigjes.
Ne kërkojmë përgatitje, përgjegjësi dhe veprim. Çdo minimizim i situatës e dobëson besimin e qytetarëve dhe e lë sistemin të reagojë me vonesë.
Qeveria duhet të tregojë sot: A ekziston Plani Kombëtar i Gatishmërisë dhe Përgjigjes? Kur është aktivizuar? Cili institucion e udhëheq përgjigjen? Cilat janë përgjegjësitë e secilit institucion? Cilat masa konkrete po ndërmerren në zonat me transmetim aktiv?
Mungesa e përgjigjeve të qarta tregon mungesën e gatishmërisë së sistemit.
Qytetarët kanë nevojë për institucione që e parashikojnë rrezikun, e zbulojnë herët, përcaktojnë përgjegjësinë dhe veprojnë para se epidemia të bëhet krizë.
Ju faleminderit.



