LajmeRajonTopLajm

Thaçi: Kuvendi t’ia ndalojë kryeministrit të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se “hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës”.

Përmes një komunikate për media, Thaçi thotë se “kjo është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit”.

Të enjten në Bruksel do të zhvillohen bisedime mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel të ekspertëve. Në to pritet të diskutohet çështja e Asociacionit dhe ajo për pretendimet financiare dhe pronësore.

Por, presidenti Thaçi thotë se diskutimi për Asociacionin, nesër në Bruksel, është “fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës”. Ai shton se diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë, është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit.

“Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin të vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë”, thuhet në komunikatë.

Presidenti kërkon nga Kuvendi i Kosovës që urgjentisht ta trajtojë, siç thotë, këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit, përmes një rezolute, “me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”.

Related Articles

Back to top button
Close
Close