
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka nisur vizitën e tij të parë zyrtare në SHBA.
Sveçla ka njoftuar se gjatë vizitës do të realizoj takime me personalitete të institucioneve relevante për forcimin e bashkëpunimit në mes Kosovës dhe SHBA-së, si partneri strategjik i vendit.
Takimi i parë i ministrit kosovarë ka qenë me Drejtorin e Programit të Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Penale, Gregory Ducot, transmeton Zeri.info.
“Sot kam filluar takimet në kuadër të vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të realizoj takime me personalitete të institucioneve relevante për forcimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe SHBA-së si partneri ynë strategjik.
Pata nderin të takoj z. Gregory Ducot, Drejtorin e Programit të Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Penale – ICITAP në kuadër të Departamentit të Drejtësisë dhe Ndihmës Drejtorin Mark Mogle, Programi i Asistencës së Trajnimit të Hetimeve Penale – ICITAP, për forenzikë. Shfrytëzova rastin të shpreh mirënjohjen për mbështetjen e deritanishme nga shteti Amerikan përmes programit ICITAP në Kosovë, i cili ka ofruar mbështetje në kapacitete njerëzore, teknike dhe teknologjike për Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe agjencitë e saja”, ka shkruar Sveçla.
Ai tha se të dy kanë theksuar që Kosova tashmë është një shembull referimi për suksesin e arritur në fushën e policisë dhe forenzikës, të cilat janë model për vendet e rajonit dhe më gjerë.
“Pavarësisht të arriturave të deritanishme, kam potencuar nevojën që agjencitë e Ministrisë së Punëve të Brendshme sikurse Policia, Inspektorati Policor i Kosovës, Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, Agjencia e Forenzikës dhe Akademia e Kosovës për Siguri Publike të mbështeten edhe më tutje për të arritur standardet specifike në fushën e parandalimit të krimit, menaxhimit të emergjencave dhe rritjes së sigurisë për qytetarët e vendit”, ka shkruar ministri.
Në fund ai tha se, ICITAP-i u zotua që të vazhdojë bashkëpunimin profesional duke mbështetur institucionet e Kosovës në adresimin e nevojave në fushën e sigurisë, luftimit të krimit dhe korrupsionit si dhe sundimin e ligjit. /Zëri



