OpinionTopLajm

Situata në sytë e Ditar Kabashit

Zgjedhjet e shkurtit 2021 u bënë dëshmitare të “lindjes” së dy subjekteve të reja parlamentare nga radhët e minoriteteve. Njëri subjekt garues ishte Ujedinjena Zajednica (UZ-AH), e kryesuar nga Adrijana Hodžić, që pretendon se përfaqëson komunitetin boshnjak, ndërsa subjekti tjetër erdhi nga radhët e komunitetit rom dhe quhet Romani Iniciyativa (RI).

 

Shkruan: Ditar KABASHI, Prizren

Gjykata Kushtetuese shpalli në kundërshtim me Kushtetutën zgjedhjen e Qeverisë Hoti për shkak të pjesëmarrjes në votim të Etem Arifit, një deputeti të dënuar paraprakisht për vepër penale dhe ai aktgjykim i hapi rrugë organizimit të zgjedhjeve të parakohshme.

Zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt 2021 u karakterizuan me disa risi, për të cilat do të bëhet fjalë më poshtë. Por, një element mjaft indikativ në këtë proces zgjedhor ishte prishja e ekuilibrit në përfaqësimin e subjekteve politike të komunitetit boshnjak dhe atij rom. Çështja nuk duket të jetë aq e thjeshtë. Dyshimet e bazuara flasin për orkestrim (por jo vjedhje) të votave të tyre nga ana e Listës Srpska, si parti përfaqësuese e komunitetit serb.

Ky probabilitet i përfolur gjithandej si fakt i mirëqenë zhvendos në një plan kontestues parametrat kushtetues që sigurojnë të drejta shumë të gjera për komunitetet minoritare dhe po kështu lëkund konceptin e demokracisë konsociacionale të mishëruar në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

 

Demokracia konsociacionale

 

Fillet e këtij nocioni të demokracisë konsociacionale hasen në studimet e politologut holandez Arend Lijphart dhe më pas janë përpunuar nga studiues të tjerë. Qysh në vitet e ’60-ta të shekullit të kaluar, Lijphart-i kishte pohuar se, krahas modelit evropian dhe atij amerikan, ekziston edhe një lloj tjetër i demokracisë perëndimore dhe i cili gjendet në shtetet skandinave dhe në vendet e ulëta. Duke gjurmuar model të ndryshëm nga demokracia e shumicës (modeli Westminister), argumentimet e veta ai i bazon duke marrë parasysh raportin e kulturës politike dhe përbërjes sociale me stabilitetin politik të prodhuar. Sipas tij, funksionimi normal i këtij raporti do të sjellë një sistem demokratik stabil, që i integron shtresat problematike shoqërore me kulturën politike dhe kësisoj realizohet qëndrueshmëria politike.

Lijphart-i e ndërton konceptin e demokracisë konsociacionale mbi disa premisa, që duhen gjetur zbatim. Sipas qasjes së autorit, së pari duhet të ekzistojë një koalicion i gjerë politik, në të cilin bëjnë pjesë edhe komunitetet pakicë dhe kështu imponohet konsensusi në çështjet publike. Duhet siguruar edhe autonomia kulturore, në kuptimin që të gjitha komunitetet të kenë mbështetje financiare nga shteti për ta avancuar kulturën e vet identitare (përmes arsimit në gjuhë amtare, mediave, shoqatave, etj.). Komunitetet që përbëjnë pakicën duhet të kenë të drejtën e vetoslidhur me aktet vitale juridike (si: Kushtetuta dhe ligje të caktuara) me qëllim që të pamundësohet “tirania” eventuale e shumicës kundrejt pakicave. Gjithashtu, lypset proporcionaliteti etnik në përfaqësimin institucional (politik dhe shërbim civil) dhe ndarja proporcionale e fondeve nga buxheti shtetëror.

Ky lloj i demokracisë ka zënë të përhapet veçmas me rënien e sistemeve moniste, pas shembjes së Murit të Berlinit.

Sistemet demokratike moderne frymojnë me kufizimin e autoritetit shtetëror, baraspeshën midis pushtetit dhe lirive të njeriut dhe pajtimit ndërmjet vullnetit individual dhe atij kolektiv për të mirën publike.

Republika e Kosovës, me sistemin e vet juridik, paraqet një shembull tipik të një demokracie konsociacionale. Qysh prej dispozitave të Planit Ahtisaari është kundruar se shteti kosovar do ta veshë një petk të tillë. Vetë Kushtetuta e Kosovës ka sendërtuar parime e norma që synojnë funksionimin e një demokracie konsociacionale, siç do të ilustrohet me disa shembuj në vijim.

 

Komunitetet – hisedarë në institucionet shtetërore

 

T’ia nisim nga organi më i lartë legjislativ. Në Kuvendin e Kosovës ekzistojnë vendet e garantuara për komunitetet joshumicë. Nga 120 deputetë sa ka gjithsej Kuvendi, sipas Kushtetutës, ulëse të garantuara i ndahen: 10 ulëse komunitetit serb dhe 10 ulëse minoriteteve joserbe (neni 64), gjithë kjo pavarësisht numrit të votave që ata fitojnë në zgjedhje. Madje, nuk mund të formohet asnjë qeveri pa pjesëtarë të minoriteteve. Sipas Kushtetutës (neni 96), në qeveri duhet të jetë së paku një ministër dhe dy zëvendësministra nga komuniteti serb, si dhe një ministër dhe dy zëvendësministra nga ndonjë komunitet tjetër joshumicë në Kosovë. Nëse numri i ministrive do të jetë mbi dymbëdhjetë, Qeveria do të ketë edhe një ministër të tretë, i cili përfaqëson një nga komunitetet minoritare në Kosovë dhe dy zëvendësministra: një serb dhe një minoritar joserb. E për t’i zgjedhur këta anëtarë të Qeverisë nga radhët e minoriteteve, nevojitet konsultimi me partitë, me koalicionet ose grupet parlamentare që i përfaqësojnë komunitetet. Nëse caktohen kandidatë jashtë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për këta ministra e zëvendësministra kërkohet miratimi formal i shumicës së deputetëve të Kuvendit, të cilët u përkasin partive, koalicioneve, nismave qytetare dhe kandidatëve të pavarur, e që janë deklaruar se përfaqësojnë komunitetin përkatës.

Pjesëtarëve minoritarë u garantohet përkrahja shtetërore për ta ruajtur dhe avancuar kulturën, traditën e gjuhën, domethënë identitetin etnik e fetar. Po kështu u garantohet punësimi në institucione publike, përfaqësimi në organe lokale etj. (Kapitulli III i Kushtetutës).

Kushtetuta parasheh edhe domenin e legjislacionit me interes vital për shtetin dhe këtë e kushtëzon me konsensus midis shumicës dhe pakicave. Në këtë kontekst, neni 81 përcakton që ligjet të cilat ndryshojnë kufijtë e komunave, themelojnë ose shuajnë komuna, përkufizojnë shtrirjen e pushteteve të komunave dhe pjesëmarrjen e tyre në marrëdhëniet ndërkomunale dhe tejkufitare; ligjet të cilat zbatojnë të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre; ligjet për përdorimin e gjuhëve; ligjet për zgjedhjet lokale; ligjet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe zonave të veçanta të mbrojtura; ligjet për liritë fetare ose për marrëveshjet me komunitetet fetare; ligjet për arsimin; si dhe ligjet për përdorimin e simboleve dhe festave publike, mund të miratohen, të ndryshohen ose të shfuqizohen me votat e shumicës së deputetëve të Kuvendit dhe të shumicës së deputetëve, të cilët mbajnë vendet e garantuara për komunitetet joshumicë. Për më tepër, asnjëri nga ligjet me interes vital nuk mund t’i nënshtrohet referendumit.

Nga këtu vërehet qartë se nuk është përqafuar modeli i shumicës, por ai i konsensusit dhe, me një fjalë, mund të thuhet se sistemi kushtetues kosovar është i dizajnuar në harmoni me projeksionin konsociacional të demokracisë.

Ky lloj diskriminimi pozitiv është etabluar në rendin kushtetues kosovar me qëllim që interesat e komuniteteve etnike të jenë të mbrojtura e të përfaqësuara në secilën rrethanë, pavarësisht numrit të vogël të votave që ata mund të fitojnë. Duke supozuar se vetë përfaqësuesit e komuniteteve janë njohësit më të mirë të nevojave të tyre, pjesëmarrja në Kuvend do t’i shndërronte ata në avokuesit më të denjë të kërkesave të komuniteteve. E gjithë kjo – pra – në rrafshin teorik. Por, ç’na flet praktika?

 

Komunitetet minoritare joserbe

 

Kushtetuta e Kosovës, përpos shqiptarëve dhe serbëve, i njeh zyrtarisht edhe gjashtë komunitete të tjera dhe që të gjithave këtyre u garanton ulëse në Kuvend. Kësisoj, neni 64/2.2 thekson që nëse numri i vendeve të fituara nga secili komunitet është më i vogël se numri i vendeve të garantuara, minimalisht do të jenë kështu:

komuniteti rom – një vend;

komuniteti ashkali – një vend;

komuniteti egjiptian – një vend;

një vend shtesë do t’i jepet komunitetit rom, ashkali ose egjiptian, që ka numrin më të madh të votave të përgjithshme;

komuniteti boshnjak – tri vende,

komuniteti turk – dy vende dhe

komuniteti goran – një vend.

Kjo pasqyrë kushtetuese ka shëmbëllyer çdoherë deri më tani në jetën shtetërore të Kosovës. Zakonisht, të gjithë përfaqësuesit e këtyre komuniteteve kanë treguar gatishmëri që me shumicën shqiptare të jenë pjesë e ekzekutivit, varësisht se cili kryeministër kujt i ka bërë ofertë.

Ka pasur edhe përjashtime, si rasti me deputetin e komunitetit goran, Adem Hodža, i cili në të kaluarën ishte rreshtuar përkrah Listës Srpska, që është përfaqësuese absolute e serbëve të Kosovës në Kuvend. Bashkërendimi i këtij deputeti me Listën Serbe ka bërë që qeveritë e Kosovës të mos mund të llogarisin blanco në përkrahjen e komuniteteve të tjera. Pra, duke marrë parasysh qëndrimet negative të Listës Srpska ndaj shtetësisë së Kosovës, mund të pohohet se me rastin e deputetit Hodža është thyer lojaliteti i dhjetëshes së minoritarëve joserbë kundruall vetë shtetit kosovar.

 

Zgjedhjet parlamentare 2021

 

Më 14 shkurt 2021 në Kosovë u organizuan zgjedhje të parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje u shquan për disa cilësi.

Së pari, procesi zgjedhor u zhvillua përgjithësisht pa probleme serioze në një frymë demokratike dhe të lirë.

Së dyti, kishte rritje të pjesëmarrjes së votuesve dhe, veçanërisht, të atyre nga diaspora, me gjithë kritikat për keqmenaxhimin e votave nga jashtë nga ana e KQZ-së.

Së treti, për herë të parë, lista e një subjekti (Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Vjosa) fitoi rreth 48% të votave të përgjithshme (pa llogaritur votat me kusht dhe ato nga diaspora).

Së katërti, partitë që kanë qeverisur tash e dy dekada, herë bashkë e herë me kombinime (LDK, PDK, AAK) kanë pësuar rezultate fare të këqija (bile Nisma Socialdemokrate nuk ka arritur të bëhet pjesë e Kuvendit).

Së pesti, zgjedhjet prodhuan ndryshime të çuditshme në tablonë e subjekteve të komuniteteve joserbe. Kanë ngadhënjyer disa përfaqësues të tyre që nuk është pritur dhe kanë dështuar ata që kanë qenë të njohur për masat. Kjo shpërfaq të vërtetën lakuriqe që nuk kemi të bëjmë me një përzgjedhje të votuesit minoritar, por me një orkestrim të paprecedent. Le ta shohim më për së afërmi këtë çështje.

 

Fshikullima e një inxhinieringu zgjedhor

 

Zgjedhjet e shkurtit 2021 u bënë dëshmitare të “lindjes” së dy subjekteve të reja parlamentare nga radhët e minoriteteve. Njëri subjekt garues ishte Ujedinjena Zajednica (UZ-AH), e kryesuar nga Adrijana Hodžić, që pretendon se përfaqëson komunitetin boshnjak, ndërsa subjekti tjetër erdhi nga radhët e komunitetit rom dhe quhet Romani Iniciyativa (RI).

Ajo që e bën të pazakontë suksesin e këtyre dy subjekteve politike që të fitojnë vota më shumë se simotrat brenda komunitetit të vet nuk është as programi i tyre i veçantë që të bindte votuesin e as ofrimi i figurave aq të fuqishme në listën e kandidatëve. Madje, listat e këtyre dy partive janë të hartuara me individë kryesisht të panjohur në skenën publike e atë politike. Në nivel republike, sipas rezultateve preliminare (pa votat me kusht dhe ato nga diaspora), UZ-AH ka fituar 6379 vota, kurse RI ka fituar gjithsej 3827 vota (https://rezultatet2021.org/sq/parl/r). Atëherë, si arritën këto dy parti që t’i përmbysin partitë tradicionale dhe figurat qendrore të komuniteteve përkatëse?

Dyshimi i parë bazohet në komunat ku kanë fituar vota këto dy subjekte. Së këndejmi, ato kanë dalë me rezultate të shkëlqyeshme në vendbanimet ku nuk ka hiç ose ka fare pak pjesëtarë të komunitetit të vet. Kësisoj, në komunat e banuara me shumicë dërrmuese serbe, si: Leposaviqi, Zubin Potoku, Zveçani, Mitrovica e Veriut, Graçanica, Novobërda, Ranillugu, Parteshi, Kllokoti e Shtërpca, po edhe në fshatrat me shumicë serbe nëpër komunat e tjera të Kosovës, në radhë të parë subjekti i vetëquajtur boshnjak UZ-AH – e deri diku edhe subjekti rom RI – kanë fituar përqindje relativisht të lartë votash. Kjo gjë ua ka mundësuar që de facto të dalin si forca të para brenda komuniteteve të tyre dhe ka ngjallur reagimin e ashpër të subjekteve boshnjake, respektivisht rome.

Ç’është e vërteta, jehona e një organizimi të tillë është dëgjuar prej kohësh. Rreziku që i kanoset Kosovës përmes manipulimit të mundshëm me votat e komuniteteve minoritare, nëpërmjet subjekteve fantome, nuk është se ka dalë në pah në këtë moment. Një gjë e tillë ka qenë e paralajmëruar qoftë prej studiuesve të këtyre çështjeve, qoftë prej politikanëve. Por, asnjëherë nuk është trajtuar seriozisht në nivel institucional dhe tashmë vendi do të zë të përballet me pasojat e kësaj.

 

Minimi i vlerave kushtetuese

 

Realiteti i ri në segmentin e përfaqësimit të komuniteteve joshumicë është hap i madh në rrënimin e disa vlerave kushtetuese.

Deformimi i vullnetit popullor, konkretisht qytetarëve boshnjakë e romë, dëfton për tronditjen e konceptit të demokracisë konsociacionale, për të cilën u bë fjalë më lart. Ky veprim ia ka humbur efektivitetin jo vetëm idesë për integrim në Planin e Ahtisaarit, por edhe i ka zhveshur praktikisht normat kushtetuese, duke vënë në pikëpyetje gjithë atë investim për integrimin e të gjithë shtetasve kosovarë nën ombrellën e shoqërisë shumetnike.

Logjika e diskriminimit pozitiv për komunitetet, që jetësohet në rendin juridik të Kosovës, tashmë ka humbur raison d’etre (arsyen e ekzistencës) të saj, meqë situata e krijuar nuk ka të bëjë me sigurinë e komuniteteve, por me manipulimin e statusit të tyre. Në emër të tyre janë zgjedhur përfaqësues të tjerë nga votues të tjerë.

Rezultat i kësaj loje do të jetë dëmtimi edhe i komuniteteve të tjera. Me këtë rritje artificiale votash, komuniteti ashkali ose ai egjiptian do të privohen nga një deputet shtesë që nxirrnin më parë, e që tash e ka fituar një subjekt i regjistruar rishtas si iniciativë rome. Ose, duke marrë për bazë përqindjet e votave boshnjake, potencialisht, turqit e Kosovës mund të privohen nga pozita ministrore.

Ankesat juridike për këto rezultate janë problematike per se. Ndonëse vërehet se ka pasur tendencë për orientim të votës në subjekte të caktuara, nuk është e lehtë që një institucion gjyqësor të shpallë të pavlefshme të gjitha ato vota, për shkak se kanë rezultuar për subjekte të caktuara. Meqenëse sipas Kushtetutës vota është personale, e barabartë, e lirë dhe e fshehtë (neni 45/2), të sfiduarit e saj në rrugë juridike, gjithnjë duke u bazuar në legjislacionin kosovar, paraqet një çështje të ndërlikuar. Po të mund të provohej se kutitë e votimit në të cilat këto dy subjekte kanë fituar shumë vota në viset e banuara me serbë janë mbushur në mënyrë të kundërligjshme, fjala bie nga disa persona në emër të të gjithë votuesve, ose nëse ka argumente se ka pasur kërcënime të votuesve për t’i votuar këto dy subjekte, atëherë ankesat mund të prodhonin efekt konkret. Sidoqoftë, procedurat ankimore, të ushtruara tashmë nga ana e disa subjekteve politike të minoriteteve, do t’i vënë në provim institucionet e Kosovës, edhe pse ky proces mund ta vonojë certifikimin final të rezultateve të zgjedhjeve.

Në aspektin politik, kurdisja e votave për subjektet e caktuara politike do t’ia trasojë rrugën synimit për monopolizim të votave joshqiptare nga ana e Listës Srpska, rrjedhimisht Beogradit, si cytës i saj. Kjo nënkupton dobësim në terren të komunitetit boshnjak dhe atij rom.

Nëse Lista Srpska u ka ndihmuar këtyre dy partive që të dalin fitimtarë në komunitetet e tyre, afërmendsh, ata mund të bëhen aleatë të natyrshëm (dikush mund t’i quajë “vegla”) të Listës Srpska në koordinim të politikave dhe nismave a bllokadave legjislative e zgjedhore.

Nuk ka dilemë se tërë ky planifikim i qëllimshëm është një lloj puçi kushtetues në kundërshtim flagrant me parimet kushtetuese. Ky është një precedent tejet i keq për cenimin e bashkëjetesës në Kosovë.

Për shembull, nëse shqiptarët vendosin të votojnë kandidatë të subjekteve serbe, që janë konkurrentë të Listës Srpska dhe që e njohin mëvetësinë e Republikës së Kosovës, ose kandidojnë qytetarë serbë në listat e veta, çfarë mund të ngjajë? A do të thyhet hegjemonia e Listës Srpska në Kuvend? Sigurisht se po. Por, a do të ishte kjo në harmoni me frymën e Kushtetutës aktuale? Sigurisht që jo. E, nëse nuk sanohet ky dëm demokratik i shkaktuar, mbase edhe kjo alternativë do të zërë vend në tavolinën e politikanëve shqiptarë.

Më këso qasje jolegjitime komunitetet do të bëhen mish për top në planet dhe strategjitë antidemokratike gjatë proceseve zgjedhore. Kosova mund ta gjejë prapë veten të sfiduar nga (jo)stabiliteti politik, paçka se në shikim të parë duket se mazhoranca shqiptare në Kuvend ka numra të mjaftueshëm për të qeverisur më gjatë se qeveritë e kaluara.

Për këto arsye duhen rishikuar edhe kriteret ligjore për regjistrim të subjekteve politike, në mënyrë që individët të mos mund të bëhen pjesë e skenarëve, që do të mbanin peng demokracinë edhe ashtu brishtë të Kosovës, vetëm me një deklaratë se gjoja i takon një komuniteti të caktuar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close