
Xhenxhefili, i njohur edhe si xhinxher, konsiderohet një nga erëzat më të shëndetshme në botë për shkak të vetive të tij të shumta shëruese. Prej më shumë se 2 mijë vitesh, ai është përdorur në vendet aziatike si një bimë medicinale për trajtimin e problemeve të ndryshme shëndetësore.
Një nga mënyrat më të zakonshme të konsumimit është përmes ujit me xhenxhefil, i cili besohet se sjell përfitime të shumta për organizmin.
Sipas përkrahësve të përdorimit të tij natyral, uji me xhenxhefil mund të ndihmojë në përshpejtimin e metabolizmit, duke kontribuar në procesin e humbjes së peshës. Për këtë arsye, xhenxhefili përdoret shpesh edhe si përbërës në suplemente të ndryshme për dobësim.
Gjithashtu, xhenxhefili ndihmon në përmirësimin e sistemit tretës, duke qetësuar mukozën e zorrëve dhe duke lehtësuar dhimbjet apo shqetësimet e stomakut.
Një tjetër përfitim i përmendur është forcimi i sistemit imunitar, ku konsumi i rregullt i xhenxhefilit mund të ndihmojë në luftimin e virozëve sezonalë dhe në rritjen e rezistencës së organizmit.
Mjekët dhe ekspertët e ushqyerjes natyrale theksojnë gjithashtu se xhenxhefili mund të ndihmojë në pastrimin e sistemit limfatik, eliminimin e toksinave dhe mbështetjen e organizmit në luftën kundër baktereve, duke e bërë atë një nga ushqimet më të vlerësuara në mjekësinë tradicionale.



