LajmeMaqedoniTopLajm

Shaqiri: UT-ja, së shpejti kampus i plotë universitar, konvikti i studentëve gati për vitin e ardhshëm

Universiteti i Tetovës, po bëhet kampus i plotë universitar, ka deklaruar ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Kampusi ngadalë po merr formën e tij të plotë duke e përfunduar edhe kapacitetin akomodues të tij për studentët.

Konvikti i ri pritet të jetë gati për pritjen e studentëve në vitin e ardhshëm akademik. Punimet ndërtimore kanë përfunduar plotësisht, ndërsa aktualisht po pajisen dhomat dhe të gjitha hapësirat e tjera që do të jenë në dispozicion të studentëve të cilët studiojnë ose që do të vendosin të studiojnë në të ardhmen në këtë universitet shtetëror dhe do të kenë nevojë për akomodim.

“Konvikti studentor në Tetovë filloi me procesin e pajisjes me inventar të nevojshëm dhe për herë të parë po formohet si institucion i cili hyn në grupin e konvikteve të tjera, të cilat funksionojnë në shtet dhe funksionon konform programit të cilin e kemi për standardin studentor. Konvikti po ndërtohet konform të gjitha standardeve bashkëkohore të cilësisë dhe si i tillë do të mund të akomodojë rreth 300 studentë.”, – deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

Ditë më parë, ministri Shaqiri dhe zëvendësministri Agim Nuhiu, së bashku me drejtuesit e lartë të UT-së, bënë mbikëqyrjen e aktiviteteve punuese në kampusin e UT-së.

Shaqiri informoi se është një investim jashtëzakonisht i madh që po realizohet nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe është në fazën përfundimtare të realizimit.

Përveç hapësirave në të cilat zhvillohet veprimtaria mësimore-shkencore, universiteti shtetëror do të mund të ofrojë një shërbim të plotë për akademikët e rinj dhe pritet që të tërheqë një rritje të konsiderueshme të numrit të studentëve në periudhën e ardhshme, ka deklaruar ministri, Shaqiri.

Related Articles

Back to top button
Close
Close