LajmeRajon

Diplomohen 67 oficerë të rinj, Rama: Kemi forcat më të mirëpaguara të rajonit

Kreu i qeverisë, Edi Rama, ka qenë i pranishëm këtë të mërkurë, 22 korrik, në ceremoninë e diplomimit të 67 oficerëve të rinj të Kursit të Përgatitjes së Oficerit në Akademinë e Forcave të Armatosura.

Të pranishëm ishin dhe Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, si dhe Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro.

Fillimisht e mbajti fjalën Nufi, i cili vlerësoi përfundimin e kursit 1-vjeçar nga 67 oficerët e rinj, mes tyre 10 nga Kosova, duke theksuar rëndësinë e Akademisë së Forcave të Armatosura në përgatitjen e brezit të ri të ushtarakëve.

67 oficerë të rinj, 10 prej të cilëve nga Kosova, i uroj sot përzemërsisht për përfundimin me sukses të kursit 1-vjeçar të përgatitjes së oficerëve. Kjo ditë është një ditë e veçantë për Akademinë e Forcave të Armatosura, institucioni i vetëm i arsimit të lartë me status të veçantë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, i cili ka misionin të formësojë pikërisht oficerët e së ardhmes.

Akademia e Forcave të Armatosura ka hyrë në një rrugë të pandalshme transformimi dhe zhvillimi. Është më tepër sesa një institucion arsimor, është një vend ku formohen punonjës me karakter, integritet dhe profesionalizëm, të frymëzuar nga vlerat e detyrës, nderit dhe atdheut. Ndaj bindjen se investimi në dije është i vetmi investim i drejtpërdrejtë në sigurinë tonë të përbashkët, në të ardhmen tonë euroatlantike“, tha ai.

Në fjalën e tij, Rama shprehu mirënjohje për familjarët e oficerëve dhe theksoi transformimin e Forcave të Armatosura ndër vite. Ai e cilësoi këtë proces transformimi si një arritje të rëndësishme për sigurinë dhe mbrojtjen e vendit.

Më vjen shumë mirë që sot kam mundësinë të jem këtu së bashku me drejtuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Shtabit të Përgjithshëm për këtë ceremoni që, padiskutim, për 67 oficerët që sot ne jemi këtu për të kremtuar, është një ditë e paharrueshme. Ndërkohë dua ta nis fjalën time me një urim dhe shprehje respekti për të gjithë prindërit e tyre këtu të pranishëm.

Jam i bindur që nëse për vajzat e djemtë që sot hyjnë në rrugën e shërbimit, është emocion për prindërit, shumë i veçantë sepse shohin të kurorëzohet një rrugë e veçantë e mirërritjes, mirëedukimit dhe e mbështetjes me çdo sakrificë për fëmijët e tyre, të cilët sot janë shërbëtorë të atdheut, në uniformë të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës. Fjala krenari është një fjalë që mund të futet në çdo fjali me një rast të tillë, por nuk ekzagjeroj nëse them që sot është një ditë krenarie për FA, për trupën pedagogjike të Akademisë dhe të Shtabit të Përgjithshëm, jo thjesht për faktin e përgjithshëm se shtabi i dha stafetën të birit, edhe pse i biri do duhet të përpiqet për një kohë të gjatë e të bëjë shumë sakrifica e të bëjë shumë për të zënë vendin e babait.

Është krenari për të gjithë sepse sot unë e kam të pamundur të mos kujtoj se në çfarë situate dramatike ka nisur ringritja e Forcave tona të Armatosura. Kjo fushë këtu që sot shkëlqen e që sot na mirëpret në një orar në dukje të pazakontë, ka qenë një fushë dheu e papërdorshme dhe faktikisht dallimi mes pasqyrës të asaj fushe në atë fillim me sot është simbolik për dallimin se si sot Forcat e Armatosura janë të mbështetura, janë të motivuara dhe ndjejnë motivim të përditshëm nga vëmendja dhe respekti“, tha ai.

Related Articles

Back to top button
Close
Close