
Ish presidenti i klubit të futbollit, Remzi Ejupi, ka treguar një detaj për legjendën e futbollit italian, Franco Baresi, se çfarë i tha për Edon Zhegrovën.
Legjenda e Milanit, Franco Baresi, ka ndërruar jetë me 31 korrik të këtij viti.
Ejupi përmes një shkrimi në profilin e tij në facebook, ka kujtuar takimin me Baresin.
“Këto ditë bota e futbollit e humbi një legjendë të saj.
Franco Baresi nuk është më fizikisht në këtë botë, por vepra dhe gjurmët që i la ai, nuk do të shuhen e as harrohen kurrë.
Një njeri i thjeshtë, kokulur e modest, përkundër madhështisë së tij.
Kështu do ta kujtoj kapitenin legjendar italian, të cilit e pata fatin t’i bëja konak për dy javë në Prishtinë para pak më shumë se
10 vjetësh, kur e organizonim “Milan Junior Camp Kosova”.
Në atë kohë i patëm mbledhur në këtë kamp mbi 300 fëmijë pa pagesë, ndërsa e kishim nderin dhe privilegjin që në vendin tonë ta kishim edhe mbrojtësin e dikurshëm Baresi, i cili e përfaqësonte klubin e Milanit.
Një njeri pozitiv, i buzëqeshur, i dijshëm e komunikativ, i cili na jepte këshilla për të ardhmen që po na priste pas daljes nga izolimi.
Ishte pikërisht ai, të cilit i kishte rënë në sy Edon Zhegrova, i cili kishte aftësi të jashtëzakonshme.
Franco Baresi më tha: ‘Ruajeni këtë djalë, është pasuri kombëtare.’
Tash po e shohim që Baresi kishte të drejt, pasi Zhegrova vërtet është bërë pasuri kombëtare, që duhet ta ruajmë si sytë e ballit.
Krahas legjendave të tjerë të futbollit si Franz Beckenbauer, Roberto Carlos e të tjerët, të cilët i pritëm në Kosovë në kohëra të vështira, edhe vizita e Baresit ishte historike për vendin tonë.
Ai nuk hezitoi të na vinte, atëherë kur kishim më së shumti nevojë, për promovim dhe për njohje ndërkombëtare.
Lamtumirë Franco Baresi, një mik i Kosovës dhe i shqiptarëve.
Pusho në paqe, legjendë!”, ka shkruar Ejupi.



