LajmeMaqedoni

Rasti i ujit në Gostivar, LSDM sulmon prokurorinë: Deri kur do të heshtni?

Zbulimet e reja për gjendjen e ujit të pijshëm në Gostivar kanë nxitur reagim të ashpër nga LSDM-ja opozitare. Partia akuzon Qeverinë se për javë të tëra i ka siguruar qytetarët se uji ishte “teknikisht i rregullt”, ndërsa tani ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, ka bërë të ditur se në ujë janë konstatuar “shumë lloje të ndryshme bakteresh dhe virusesh”.

Nga LSDM-ja pyesin se mbi çfarë baze kryeministri Hristijan Mickoski deklaronte më herët se uji ishte teknikisht i rregullt. “Si e dinte? Kishte ‘ndjenjë’, pyesin nga opozita, duke shtuar se tashmë fokusi është vendosur te monitorimi i hepatitit.

LSDM-ja rikthen edhe deklaratat e mëhershme të Klekovskit, i cili kishte paralajmëruar se epidemia e hepatitit kishte përfunduar, ndërsa tani, sipas opozitës, po monitoron situatën si “ekspert për hepatitin”. “Po tani sërish ka problem, ndërsa ai si ‘ekspert për hepatitin’ e ndjek situatën? Toshkovski me siguri po e ndjek gjithashtu – si ekspert për hiperklorinimin dhe shpëlarjen e tubacioneve”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Opozita kërkon përgjigje edhe për vendimin që qytetarët ta përdorin ujin si “teknik”, ndërsa pretendon se autoritetet për javë të tëra kanë deklaruar se ai mund të përdoret për larje dhe higjienë. “Si mund ta përdorin qytetarët për larje dhe higjienë kur në të kishte baktere dhe viruse? Si mund të flasin Mickoski, Klekovski dhe Toshkovski për kontroll, kur më herët thanë se uji mund të përdoret?”, pyet LSDM-ja.

Partia opozitare vë në pikëpyetje edhe deklaratat e ministrit Klekovski nga java e kaluar, kur ai kishte paralajmëruar se uji së shpejti do të ishte i sigurt për pije. “Uji tani është plot me baktere. Jo me një – por me shumë lloje të ndryshme. Dhe ende nuk është publikuar asnjë dokument mbi bazën e të cilit është lejuar përdorimi i ujit ‘teknik’”, thuhet në kumtesë.

LSDM-ja pretendon gjithashtu se mijëra qytetarë janë helmuar dhe se rreth 5.000 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Sipas opozitës, situata ka prekur edhe funksionimin e Spitalit të Gostivarit, për shkak të së cilës pacientët po transportohen në Tetovë. “Dhe ende nuk ka askush që të përgjigjet, asnjë emër nga pushteti”, akuzon LSDM-ja.

Në reagim përmendet edhe deklarata e Stojanço Angellovit se në ujë ka baktere, ndërsa opozita kërkon përgjigje nga Prokuroria Publike për veprimet e saj lidhur me rastin. “Po Prokuroria? Alo, Saveski? Jeni në ekskursion? Apo rregulli ‘prokurori nuk thirret’ vlen vetëm kur nuk bëhet fjalë për Mickoskin?”, thuhet në kumtesën e LSDM-së.

Opozita akuzon Qeverinë për papërgjegjshmëri në menaxhimin e krizës dhe kërkon që të përcaktohet përgjegjësia për vendimet dhe deklaratat e bëra gjatë periudhës kur qytetarëve u ishte thënë se uji mund të përdorej. “Qytetarët tani mund t’i shohin qartë në veprim të gjithë këta ‘ekspertë’”, thuhet në reagimin e LSDM-së. Në fund, LSDM-ja kërkon që Prokuroria të nisë veprimet përkatëse dhe pyet se deri kur institucionet do të heshtin. Ndërkohë, Avokati i Popullit ka hapur tashmë lëndë për rastin, ndërsa qytetarët presin përgjigje për përgjegjësinë institucionale dhe mënyrën se si është menaxhuar kriza me ujin në Gostivar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close