LajmeRajon

Prapaskenat e partive politike dhe heshtja për koalicionet, diçka po zihet

Kanë mbetur edhe 24 orë deri në përfundimin e afatit për t’u certifikuar koalicionet parazgjedhore nga KQZ. Por deri në këto momente, asnjë parti nuk është deklaruar që kanë arritur ndonjë marrëveshje parazgjedhore me ndonjë parti tjetër.

Gjithë këtë ‘stepje’ të partive të mëdha për të bërë koalicione parazgjedhorë,  analistët po e shohin si taktizim të subjekteve politike. Sipas tyre, elektorati tashmë ka ndarë mendjen andaj edhe partitë po mundohen që garës t’i futen si të vetme.

Gurakuç Kuqi, njohës i politikës në Kosovë, në një prononcim për Syri.net, deklaroi se partitë e vjetra e kanë nuhatur se nga po shkon elektorati, por, se nuk do të ishte i befasuar nëse në minutat e fundit të kemi ndryshim mendjesh sa i përket koalicioneve.

“Ndryshimi i qasjes se popullit në votim dhe vrulli i madh drejt LVV-së, ka bërë që të i vijë fundi klientelizmit të pastër. Partitë e vogla në Kosovë janë puro klienteliste. PDK e di që Nisma si parti nuk e bënë me të fortë, por, vetëm sa ia decentralizon pushtetin. Po ashtu,  duke mbetur Nisma pa koalicion, votuesit e saj shkojnë më së shumti drejt PDK-së, sepse Nismën e shohin si një subjekt të dështuar. Kalkulime të ngjashme bënë edhe LDK, ndërsa AAK-në nuk ka disponim ta ofroj askush dhe LVV,  duke qëndruar mire vetëm, po i sheh si humbje koalicionet parazgjedhore përveç me Vjosa Osmanin. PDK po ashtu, vetëm duke qëndruar si tani pa bërë asgjë, sondazhet po e qesin si të dytën. Megjithatë, nuk është që nuk mund të presim ndonjë befasi në minutat e fundit, si qëllime që LVV-së t’i pamundësohet qeverisja dhe vendi prapë të shkojë në zgjedhje brenda vitit dhe ky do ishte grusht që ia përfundon potencialisht namin publik” – përfundon Kuçi.

Kurse njohësi tjetër i politikës, Xhevdet Pozhari, i tha Syrit, se gjithë kjo zmbrapsje për të bërë koalicione parazgjedhore, po e sheh edhe si një taktizim të subjekteve politike që mund të ndryshojnë në çastet e fundit, e të kemi një skenarë të PAN-it.

“Është praktikë e njohur e partive politike që ato të taktizojnë dhe mos t’i bëjnë publike koalicionet apo bashkëpunimet deri në momentin e fundit, bie fjale siç ishte rasti me koalicionin parazgjedhor PAN që u bë publik 5 min para përfundimit të afateve ligjore. Sidoqoftë, edhe në këtë rast, por edhe në shumë raste është dëshmuar se partitë e mëdha kanë mbledhur më shumë vota si të vetme, veç e veç, sesa kur janë bërë bashkë. Jo rastësisht kësaj radhe kemi tentativa për bashkëpunime, kryesisht nga partitë si AKR dhe NISMA që dihet se nuk do ta kalojnë pragun dhe të cilat mundohen të mbijetojnë disi duke u kacavjerur në listat e partive të tjera. Por, edhe ato janë të kushtëzuara tashmë që të bëhen pjesë e listës jo si koalicione zyrtare, gjë që me automatizëm çon edhe në zbehjen përfundimtare të rolit të tyre politik”.

Pozhari, shton se i vetmi koalicion serioz që sheh në këto zgjedhje është ai mes LVV dhe iniciativës së Vjosa Osmanit.

“Koalicioni i vetëm serioz në këto zgjedhje, për të formuar një sinergji të fituesit absolut të zgjedhjeve pritet të jetë ai midis Vetëvendosjes së Albin Kurtit dhe iniciativës së Vjosa Osmanit, ndonëse ende nuk është definitiv. Këto dy subjekte është e qartë se do të bashkëpunojnë me njëra tjetrën veçse ende nuk është definuar mënyra. Sigurisht që të dy palët janë duke analizuar se cila do të ishte forma më e suksesshme për ta maksimalizuar votën, veçanërisht kur bëhet fjalë për dy ideologji të ndryshme. Por, në cilëndo rrethanë një gjë mbetet e sigurt: Në këto zgjedhje mendësia e vjetër politike pritet të mbetet një e kaluar, ndërsa përgjegjësit kryesor për shkatërrimin e shtetit do të ndëshkohen me votë duke iu dhënë mundësia gjeneratës së re” – përfundon Pozhari për Syri.net Kosovën.

Se koalicion nuk do të ketë mes LDK-së e AKR-së, e tha edhe Isa Mustafa në një deklarim për Syri.net, ku tregoi se në listën e tyre të kandidatëve për deputetë do të jenë edhe disa nga kjo parti, që do të garojnë në kuadër të LDK-së.

Ndërsa, kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj e përsërit edhe njëherë se është me bisedime me disa parti të vogla për të bërë koalicione por që ende nuk kanë vendosur, pasi e vetmja alternativë është të garojnë nën listën e PDK-së.

Nga LVV, asnjëherë nuk është mohuar mundësia e një bashkëpunimi parazgjedhor ose pas zgjedhor me iniciativën e Vjosa Osmanit, por, kjo e fundit mund të garojë vetëm nën listën e tyre të deputetëve, e jo si e pavarur, pasi kanë kaluar afatet ligjore për garuar e vetme në zgjedhje.

Related Articles

Back to top button
Close
Close