BotaLajme

Polonia dhe vendet baltike rrisin mbrojtjen e infrastrukturës strategjike, nga frika e një sulmi të inskenuar rus

Teksa tensionet me Moskën mbeten të larta, Polonia dhe shtetet baltike kanë përforcuar sigurimin e objekteve jetike si centralet energjetike, digat dhe rrjetin e gazsjellësve. Masa vjen nga shqetësimi se Rusia mund të orkestrojë një provokim të simuluar për t’ia hedhur fajin Ukrainës.

Fqinjët veriorë të Aleancës po përgatiten për skenarë të mundshëm sabotazhi duke shtuar masat mbrojtëse mbi infrastrukturën kritike, referon një raportim i Reuters. Lituania ka ngritur shqetësimin se Moska mund të konsiderojë një sulm me dronë të prodhuar në Ukrainë për të inskenuar një ngjarje, ndërkohë që Polonia, Letonia dhe Estonia kanë paralajmëruar gjithashtu për rreziqet e akteve sabotazhuese që vënë në provë reagimin e NATO-s.

Ministri lituanez i Mbrojtjes, Robertas Kaunas, konfirmoi se vendi po rrit nivelin e sigurisë rreth infrastrukturës së ndjeshme dhe po bashkërendon veprimet me shërbimet informative. “Nuk jemi naivë, shohim të dhënat, lexojmë mes rreshtave dhe po bëjmë detyrën tonë,” theksoi ai për Reuters.

Në terren, Lituania ka dislokuar forca ushtarake për të ndihmuar policinë në mbrojtjen e terminalit të gazit të lëngshëm në Klaipeda, depove të produkteve të naftës, një korridori të rëndësishëm energjetik që lidhet me Poloninë dhe hidrocentralit të pompimit në Kruonis. Edhe Letonia ka forcuar mbikëqyrjen në pikat nevralgjike, duke përfshirë digën mbi lumin Daugava pranë Rigës dhe depozitën nëntokësore të gazit në Incukalns.

Burime të inteligjencës të cituara nga Reuters sugjerojnë se strukturat ruse të sigurisë mund të kenë në plan një operacion “false flag” ndaj caqeve në Rusi, në vendet baltike ose në Poloni, duke përdorur mjete ajrore pa pilot që gjurmohen te Kievi. Për zyrtarët, rreziku më i madh nuk qëndron vetëm te dëmi material, por te kaosi politik që do të shpërthente brenda NATO-s, teksa aleatët do të debatonin mbi përgjigjen e duhur.

Një funksionar rajonal pohoi se sinjalet e shërbimeve aleate kanë krijuar një shqetësim të thellë në rajon, edhe pse nuk ka të dhëna për një sulm të pashmangshëm. Kremlini i ka quajtur këto alarme “histori frikësuese” që shërbejnë për të justifikuar militarizimin përballë Rusisë dhe ka nënvizuar se Perëndimi akuzon pa patur fakte konkrete.

Në Varshavë, gjigandi shtetëror i naftës dhe gazit Orlen po shqyrton kanale alternative furnizimi për çdo skenar dëmtimi të infrastrukturës energjetike. Rreth 80% e importeve polake të gazit mbërrin përmes terminalit të gazit të lëngshëm në Świnoujście dhe një tubacioni nëndetar nga Norvegjia. Njëkohësisht, operatori i rrjetit elektrik polak ka amplifikuar masat e sigurisë në interkoneksionin me Ukrainën, i cili ndihmon në stabilizimin e një sistemi të dëmtuar nga lufta.

Kompania shtetërore përgjegjëse për termocentralin e parë bërthamor të vendit raportoi shfaqjen e dokumenteve të falsifikuara, të cilat dyshohet se synonin të mbillnin konfuzion mes aktorëve të përfshirë. Sipas kësaj kompanie, dokumentet mendohet se e kanë origjinën nga lindja e Polonisë dhe janë nën hetim nga shërbimet speciale dhe organet e rendit.

Paralelisht, fluturimet misterioze të dronëve në disa shtete europiane kanë thelluar frikën për kërcënime hibride. Në Gjermani, një dron i pajisur me eksploziv u gjet së fundi pranë aeroportit Leipzig/Halle, ndonëse ende nuk dihet kush qëndron pas këtij incidenti. Specialistët paralajmërojnë se Rusia kërkon të prodhojë pasiguri në kontinent dhe të testojë shpejtësinë e reagimit të NATO-s.

Related Articles

Back to top button
Close
Close