
Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, sot në Utrinski Brifing u deklarua se zgjedhje të parakohshme në Maqedoni mund të organizohen kurdo, dhe ato janë kërkesë legjitime, por sipas tij, të njejtat për momentin nuk do të zgjidhnin asgjë, transmeton Zhurnal.
Sa i përket çështjes tonë për zgjerimin, presidenti Pednarovski thotë se është e qartë se vetoja bullgare dotë ngelë dhe se rruga jonë drejt BE-së do të stagnojë, por duhet me kujdes të veprohet lidhur me iniciativat tjera për shoqërim dhe bashkëpunim me vendet evropiane.
“Në vitet e fundit kishim pritshmëri të mëdha. Kryeministri bullgar Kirill Petkov është person i vetmuar në skenën politike në Bullgari. Për ne kjo çështje ka përfunduar dhe nuk mund të presim ndryshim të pozitës nga Bulglaria lidhur me veton që e vendosi për vendin tonë. Vlerësimi im është se Petkov përpiqet me gjithçka që mundet të zbutë krahun nacionalistik në Bullgari. Kishte anketë edhe tek ne ku 72% e qytetarëve janë kundër një marrëveshje me Bullgarinë, madje edhe në kushte të mbrojtjes së identitetit”, thotë Pendarovski.
Pendarovski rikujton se ka frikë që Ballkani i Hapur, ideja e të cilës është e mirë, të mos bëhet alternativë e Bashkimit Evropian, në një format siç e propozoi presidenti francez, Emanuel Makron, ndërsa menjëherë u mbështet nga kancelari gjerman, Olaf Sholc.
“Ne pas 20 viteve duke folur për BE dhe NATO, me çfarë fytyre do të dalim para qytetarëve dhe t’u themi ja tani po kyçemi në një iniciativë të re evropiane. Ne duhet ta dimë nëse kjo iniciativë e Makronit ka të bëjë me Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Moldavinë, apo na përfshinë dhe neve”,thotë Pendarovski.



