
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, vlerëson se Bashkimi Evropian po i mashtron qytetarët e rajonit me premtimet për zgjerim, duke theksuar se procesi praktikisht ka ndalur që nga anëtarësimi i Kroacisë në vitin 2013.
Në emisionin “Rishtazi” në KohaCast, Nikolloski deklaroi se është “jonjerëzore të gënjehen njerëzit” dhe se ajo që po ndodh aktualisht është një përpjekje për të krijuar iluzione të rreme për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Sa i përket zgjerimit, situata është e qartë. Ajo ka mbetur në vitin 2013 me Kroacinë. Mundësia që procesi të vazhdojë është pothuajse teorike, jo për shkak të nesh, por për shkak të situatave të brendshme në Bashkimin Evropian”, tha Nikolloski.
Sipas tij, fakti që për 13 vjet nuk ka pasur asnjë zgjerim të ri është dëshmi e qartë se mungon vullneti politik brenda BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj.
Nikolloski shtoi se problemi kryesor nuk qëndron te vendet kandidate, por te shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian. “Nga gjashtë shtetet më të mëdha dhe më të fuqishme të BE-së, pesë nuk janë të gatshme për zgjerim. Vetëm Polonia është pro dhe ky është thelbi i problemit”, theksoi ministri. Ai vlerësoi se qytetarëve të rajonit duhet t’u thuhet e vërteta për gjendjen aktuale të procesit integrues.



