LajmeMaqedoniTopLajm

Me një ekspozitë të projekteve për energjinë e gjelbër u shënua 1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijës

Nxënës dhe mësimdhënës nga 15 shkolla fillore të Shkupit, sot, në ambientet e Ministrisë së Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, prezantuan projektet e tyre me temën „Energjia e gjelbër është e ardhmja – ndërsa e ardhmja jonë janë fëmijët”, në aktivitetin e organizuar me rastin e 1 Qershorit – Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës.
Duke përdorur burime të ripërtëritshme të energjisë, nxënësit dhe mësimdhënësit prezantuan idetë e tyre unike, ndër të cilat makete mbresëlënëse si mini-ekosisteme, zgjidhje vetëqëndrueshme urbanistike dhe projekte inovative për riciklimin.
Në konkurs u përzgjodhën tre zgjidhjet më kreative. Vendi i parë iu takua nxënësve dhe mësuesve nga SHFK – së „Krste Misirkov“ nga komuna e Gazi Babës, ndërsa vendi i dytë dhe i tretë iu dhanë nxënësve dhe mësuesve nga SHFK -së „Dane Krapchev“ nga komuna e Gazi Babës dhe SHFK – së „Petar Pop Arsov“ nga komuna e Karposhit.
Ministrja e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, Sanja Bozhinovska, në këtë aktivitet i përgëzoi të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit për idetë e tyre unike.
„Shpresoj që zgjidhjet tuaja kreative të bëhen realitet”, u tha ministrja Bozhinovska, duke theksuar përparimin e vendit tonë në aspektin e shfrytëzimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Ministrja gjithashtu nënvizoi rëndësinë e energjisë së gjelbër për qytetarët, duke shpjeguar përfitimet që ajo sjell.
1 Qershori – Dita Ndërkombëtare e Fëmijës, e shpallur nga UNICEF në vitin 1925 gjatë Konferencës Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve, të mbajtur në Geneva, tradicionalisht shënohet në shumë vende të botës me qëllim që të theksohet rëndësia e kujdesit, zhvillimit dhe mbështetjes së fëmijëve.
Ministria e Energjisë, Minierave dhe Burimeve Minerale, me aktivitetin e sotëm, i bashkohet shënimit global të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës, si pjesë e angazhimeve tona për mbështetjen e të rinjve, zhvillimin e njohurive të tyre dhe krijimin e kushteve për vendosjen e një sistemi energjetik të qëndrueshëm dhe të sigurt përmes integrimit më të madh të burimeve të ripërtëritshme të energjisë.

Related Articles

Back to top button
Close
Close