BotaLajme

Në pamundësi për të “fituar” në Gazë, Izraeli po e hedh shikimin diku tjetër

Qetësia e frikshme relative ka rënë mbi Lindjen e Mesme – Gaza padyshim që përjashtohet nga kjo – që nga shkëmbimi tejet alarmant i javëve të fundit i sulmeve me raketa, predha dhe dronë mes Izraelit dhe Iranit. Është zbutur frika për një luftë të afërt rajonale, me të dy palët që sugjerojnë se tash për tash besojnë se në mënyrë strategjike e kanë kthyer parandalimin në vendin e duhur dhe se mjaftueshëm e kanë forcuar moralin kombëtar për të kompensuar kritikat luftënxitësve dhe mbështetësve të linjës së ashpër.

Ndërkohë, duket se as Izraeli dhe as Irani nuk duan luftë të drejtpërdrejtë me njëri-tjetrin dhe se të dy shtetet duken se janë të gatshme të marrin parasysh zgjidhjen e problemet, përmes shkëmbimit të sulmeve të fundit – megjithëse jo shkaqet e tyre bazike. Sigurisht ndihmon fakti se askush nuk është vrarë në asnjërin vend dhe kjo padyshim ishte e qëllimshme, sepse të dy palët ashiqare e kanë aftësinë për të shkaktuar shumë më tepër shkatërrime dhe vdekje në territoret e njëra-tjetrës – nëse këtë do ta donin.

Por, kjo në asnjë mënyrë nuk do të thotë se përballja ka marrë fund. Përkundrazi, ashtu si sulmet e 7 tetorit të udhëhequra nga Hamasi në Gazë – kundrejt Izraelit jugor – të cilat ndezën tensionet të cilat përfundimisht çuan në sulmet e para të drejtpërdrejta iraniane kundër Izraelit dhe në hakmarrjen e Izraelit kundër Iranit, lufta midis dy fuqive duket se do të lëvizë në fazën tjetër – dhe, për më keq, në nivelin tjetër.

Ora mund ta japë alarmin për Libanin, me një ofensivë të mundshme izraelite në javët e ardhshme, gjë që do të shkaktonte shkatërrime masiv në të dy vendet dhe dërrmim në politikën e administratës Biden, përkitazi me kontrollin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Sipas administratës amerikane dhe zyrtarëve të inteligjencës, Izraeli veçse po kërcënon dhe duket se po përgatitet për një ofensivë të madhe kundër Hezbollahut në Liban – për më vonë në këtë pranverë ose në fillim të verës. Tani, shkëmbimi i fundit i sulmeve të drejtpërdrejta ushtarake me Iranin, mund të ketë vulosur fatin e Libanit – përveç nëse ekipi i Bidenit mund të frenojë Izraelin.

Është e rëndësishme të kujtojmë këtu se si filloi shkëmbimi i fundit i zjarrit izraelito-iranian. Më 1 prill, Izraeli goditi një objekt diplomatik iranian në Damask, duke vrarë një numër të zyrtarëve të lartë iranianë, përfshirë gjeneralin Mohammad Reza Zahedi; zëvendësin e tij, gjeneralin Haji Rahimi; dhe, ndoshta më e rëndësishmja, gjeneralin Hossein Amirollah – shefin e shtabit në Siri dhe Liban për Forcat e Ekspeditës Kuds të Iranit.

Izraelitët këmbëngulën se këta komandantë të lartë i drejtonin përpjekjet e rrjetit të gjerë të grupeve të milicisë dhe bandave të armatosura të Iranit në botën arabe, të udhëhequra nga Hezbollahu, për të ndihmuar Hamasin që ta bllokojë Izraelin në Gazë dhe që grupi Hezbollah të bëhet gati për ofensivën izraelite me të cilën prej kohësh po e kërcënon Libanin.

Fakti se akuza është pothuajse me siguri e saktë, vetëm thekson se pse Teherani u ndje thellësisht i plagosur nga sulmi ndaj konsullatës në Damask, të cilën e konsideronte si pjesë e territorit të vet –  duke pasur parasysh konventat dhe normat ndërkombëtare në lidhje me juridiksionin ekstraterritorial në objektet diplomatike në vendet e tjera.

Direktiva kryesore e Uashingtonit për krizat pas 7 tetorit, ka qenë kontrolli i konfliktit duke parandaluar përhapjen e luftimeve të mëdha përtej Gazës – veçanërisht në Liban.

Frika është se zgjerimi i tillë do të mund të zvarriste lehtësisht Shtetet e Bashkuara dhe/ose Iranin, duke çuar në luftën e parë rajonale në historinë moderne të Lindjes së Mesme, si dhe në konfliktin e mundshëm të drejtpërdrejtë midis Uashingtonit dhe Teheranit. Sigurisht, ka shumë linja të ashpra në Izrael – duke përfshirë kryeministrin Benjamin Netanyahu – të cilët prej kohësh kanë kërkuar sulmet e ShBA-së kundër objekteve bërthamore iraniane dhe të cilët mund të tundohen që të përshkallëzohen, thjesht me shpresën për të realizuar përfundimisht atë aspiratë frustruese shumëvjeçare.

Por, kjo nuk do të ishte arsyeja kryesore për ofensivën izraelite në Liban, e cila nuk do ta garantonte eventualitetin e tillë. Në vend të kësaj, 7 tetori tërhoqi shumë izraelitë të linjës së ashpër në një qëndrim të ri dhe pa kompromis ndaj sigurisë kombëtare, veçanërisht në lidhje me grupet e sponsorizuara nga Irani në kufijtë e Izraelit.

Pak ditë pas 7 tetorit, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, bënte presion për një sulm të madh parandalues kundër Hezbollahut, sepse milicia libaneze paraqet kërcënimin më të fuqishëm të afërt ndaj Izraelit. Administrata Biden e bëri të qartë kundërshtimin amerikan, të paktën duke shtyrë çdo operacion të tillë.

Teksa forcat izraelite lëviznin në jug përmes Gazës, duke zhdukur me lehtësi relative brigadat e Hamasit, mendimi i tij shpejt u kthye përsëri në veri. Kërcënimi kryesor i Hezbollahut kundër Izraelit është arsenali masiv prej mbi 150 mijë raketave dhe raketave, shumë nga të cilat me drejtim preciz, të cilat janë të afta të godasin kudo në Izrael dhe ndoshta të mposhtin Kupolën e Hekurt dhe sistemet e tjera mbrojtëse izraelite kundër raketave.

Duke vepruar sipas ndjeshmërisë së pas-7 tetorit ndaj kërcënimeve të zonës kufitare – duke përfshirë sulmet me raketa të Hezbollahut që kanë vazhduar që atëherë – Izraeli evakuoi rreth 80 mijë qytetarë nga komunitetet veriore (një numër i ngjashëm libanezësh u zhvendosën nga qytetet dhe fshatrat jugore) dhe qeveria filloi të këmbëngulte se ata nuk mund të ktheheshin të sigurt në shtëpitë e veta, nëse komandot elitarë të forcave Raduan të Hezbollahut nuk zhvendoseshin përgjithmonë rreth 18 milje në veri të zonës kufitare.

Megjithatë, forca Raduan, sipas vlerësimit tim, nuk duket se është e përgatitur ose e aftë për të nisur pushtimin kuptimplotë tokësor të shkallës së gjerë, në veri të Izraelit, pavarësisht se çfarë thotë Hezbollahu për forcën e vet. Ndonëse është e kuptueshme se Izraeli shqetësohet për potencialin e një inkursioni të rrezikshëm nga Raduani, qëllimi kryesor i kësaj force është të justifikojë mbajtjen e kontrollit nga ushtria private e Hezbollahu – dhe rrjedhimisht politikën e jashtme – duke pretenduar se po e mbron Libanin jugor dhe zonën kufitare nga Izraeli. Prandaj, duhet të jemi skeptikë për motivimet e Izraelit.

Edhe pse Hezbollahu e ka bërë të qartë, me fjalë dhe me vepra që prej 7 tetorit, se në rrethanat aktuale dhe me mbështetjen e Iranit nuk dëshiron luftë më të gjerë me Izraelin, grupi libanez – pavarësisht sulmeve hakmarrëse – nuk do të dorëzohej për lëshimin e madh përmes tërheqjes së luftëtarëve elitarë nga rajonet jugore në të cilat grupi u formua dhe ku është baza e tij.

Related Articles

Back to top button
Close
Close