
Skuadra e Turan Tovuz është përjashtuar nga Conference League për sezonin 2026/2027. UEFA ka zbuluar vendimin drastik për klubin nga Azerbajxhani.
Ky dënim i rëndë ka ardhur si pasojë e përfshirjes së klubit në trukime ndeshjesh në të kaluarën. Komisioni përkatës i UEFA-s e deklaroi klubin azer të papërshtatshëm për të marrë pjesë në kompeticionet europiane, duke i hequr të drejtën e garimit.
Pavarësisht vendimit, drejtuesit e klubit kanë reaguar përmes një komunikate zyrtare, duke njoftuar se do ta dërgojnë çështjen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë për të kërkuar të drejtën e tyre. Klubi sqaroi se hetimi i UEFA-s bazohet në një vendim të Federatës Azere (AFFA) të datës 13 dhjetor 2019, kohë kur u pezulluan shtatë lojtarë të ekipit që luante në Kategorinë e Parë.
Drejtuesit e Turan Tovuz nënvizuan se planet e tyre për fazën përgatitore që do të zhvillohet këtë muaj në Turqi do të vijojnë normalisht, me shpresën se CAS do të ndryshojë vendimin përpara nisjes së ndeshjeve zyrtare.



