LajmeMaqedoniTopLajm

Ministria për Sistem Politik dhe ITSHKSH organizuan ngjarjen “Anton Nikë Berisha studiues i letërsisë së arbëreshëve të Italisë”

Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie
Ndërmjet Bashkësive dhe Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe
Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut organizuan panel
diskutimin e rradhës në suaza të manifestimit kulturor – shkencor “Ditët
e Alfabetit” me temë “Anton Nikë Berisha, studiues i letërsisë së
arbëreshëve të Italisë”.

Për të nderuar personalitetin e shquar të studiuesit Anton Nikë Berisha
të pranishëm në këtë manifestim ishin zëvendës ministri i mbrojtjes z.
Bashkim Hasani, drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe
Kulturore të Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut z. Skender Asani dhe
drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës z. Ylber Sela.

Drejtori i Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të
Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, z. Skender Asani ka folur rreth
miqësisë afatgjate të Institutit dhe studiuesit të mirënjohur Anton Nikë
Berisha dhe kontributin e jashtëzakonshëm të tij për themelimin e
Departamentit kushtuar jetës dhe veprës së Gonxhe Bojaxhiut, si dhe
ruajtjes së thesarit të trashëgimisë kulturore e letrare të arbëreshëve
të Italisë për të cilën edhe po diskutohet në kuadër të “Ditëve të
Alfabetit”. Përvoja e tij dhe jeta kushtuar studimeve për jetën e
arbëreshëve sipas Asanit kanë qenë kyçe për të ruajtur gjuhën e
Skenderbeut, për të ruajtur kujtimin për traditat dhe vlerat kombëtare
të asaj periudhe të lavdishme. Veprat e tij studiuese kanë një vlerë të
jashtëzakonshme të përfaqësimit tonë në letërsinë ndërkombëtare – ka
thënë mes tjerash drejtori i ITSHKSH, Skender Asani.

Zëvendësministri i mbrojtjes z. Bashkim Hasani përgëzoi ITSHKSH-në dhe
Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, si
dhe të gjithë pjesëmarrësit e manifestimit “Ditët e Alfabetit” për këtë
iniciativë organizative që hedh dritë mbi fakte të rëndësishme historike
dhe kontributin e shumë figurave të shquara që me punën e tyre kanë
promovuar dhe kultivuar frymën kombëtare dhe kulturore të kombit tonë.
Ai ka shprehur mirënjohje në emër të Qeverisë së vendit ndaj punës së
profesorit Anton Nikë Berisha për të ruajtur si frymëzim faktet e jetës
së arbëreshëve si pjesë e pashkëputur e rrugëtimit tonë kombëtar. Hasani
ka potencuar se këto manifestime kulturore dhe shkencore do të kenë
gjithmonë përkrahjen e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

Drejtori i Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës z. Ylber Sela ka përshëndetur
aktivitetin dhe tematikën e përzgjedhur kushtuar jetës së arbëreshëve në
suaza të shënimit të festës kombëtare të alfabetit.
“Bota arbëreshe na përket të gjithëve, është ndjenja dhe krenaria jonë,
është gjaku që rikthehet në qenien tonë, nëpëmjet arbëreshëve ne
tregojmë përgjegjësinë tonë kombëtare dhe institucionale. Duke i nderuar
personalitetet që flasin për ta ne i nderojmë edhe arbëreshët, duke
nderuar profesorin Anton Nikë Berisha nderojmë edhe arbëreshët.” – është
shprehur drejtori Sela.

Studiuesi Anton Nikë Berisha në nder të veprës së të cilit u mbajt
paneli i sotëm i diskutimit faleminderoi të pranishmit, ITSHKSH-në,
Ministrinë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive për
vëmendjen që i kushtuan arbëreshëve të Italisë dhe respektin ndaj
kontributit të tij shkencor dhe letrar që ka pasur gjithmonë synim
ruajtjen e trashëgimisë kulturore të arbëreshëve.

http://

Related Articles

Back to top button
Close
Close