SportTopLajm

Messi nis sot stërvitjen, “Pleshti” në qendër të projektit të Koemanit

Leo Messi do të paraqitet në “Ciutat Esportiva” në seancën e programuar për të nisur në orën 17.30. Të gjithë sytë do të jenë të drejtuar tek argjentinasi, i cili, pasi iu nënshtrua testit të Koronavirusit në shtëpinë e tij, do të bashkohet me skuadrën në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ri.

Askush nuk e priste këtë zhvillim të ri, kur vetëm disa ditë më parë “Pleshti” ishte më shumë larg se pranë Barcelonës. Pozicionet ishin aq të distancuara, sa njëra nga të dy palët duhej të dorëzohej. Prapakthehu bëri Messi, duke pranuar se nuk mund të largohej nga klubi i zemrës nëpërmjet vendimeve gjyqësore.

Asnjë klub nuk ishte i gatshëm të paguante klauzolën 700 milionë ose të priste një proces gjyqësor për të kuptuar se sa do të ishte çmimi, kështu që numri “10” zgjodhi të vazhdonte si “blaugrana”. Por çështja është se po qëndron pa dëshirë, pasi mendjen e ka tjetërkund dhe me shumë plagë të hapura.

Messi siguroi në intervistën e dhënë për “Goal.com” se do të jetë i njëjti. Para së gjithash, për shkak të natyrës së tij konkurruese, të cilën e ka shfaqur gjatë gjithë karrierës së tij te Barça.

Përballë mundësisë për të mos qenë në gjendje të jetë kompetitiv dhe zhgënjimit në projektin sportiv të Barçës, Messi mendoi të shkonte te Manchester City. Në moshën 33-vjeçare, nuk ka kohë për të humbur, dëshiron të fitojë një tjetër Champions dhe të jetë përsëri i lumtur.

Sot, Koeman do të jetë në gjendje ta kuptojë në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse Messi vazhdon të ketë uri, përtej gjithçkaje ndodhi javët e fundit. Ata kanë biseduar paraprakisht, me holandezin që ia bëri të qartë se dëshironte të mbështetej tek ai. Mirëpo ai takim nuk e ndryshoi idenë e Messit për t’u larguar, aq më tepër pasi mësoi për largimet e Luis Suárezit dhe Arturo Vidalit, dy nga lojtarët më të afërt me argjentinasin në dhomën e zhveshjes.

Koaman dhe Messi nuk e nisën mirë dhe do të jetë e nevojshme të shihet nëse holandezi do të jetë i aftë ta joshë 6 herë fituesin e “Topit të Artë”, i cili ndihet i lodhur me zhgënjimet e viteve të fundit në Champions.

Artikuj të ngjashëm

Back to top button
Close
Close