
Përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së, Francës dhe Gjermanisë do ta vizitojnë Beogradin pas festave të Krishtlindjeve për të përshpejtuar zgjidhjen e çështjes së Kosovës, shkruan Novosti.
Sipas këtij mediumi, Beogradin fillimisht do ta vizitojnë përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Miroslav Lakçak, dhe i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, së bashku me të dërguarin e presidentit francez dhe atij gjerman.
Novosti, duke iu referuar burimeve të saj, thekson se qëllimi i këtyre vizitave është që të bindin lidershipin shtetëror serb që të fillojë negociatat politike me Kosovën, të cilat do të bazoheshin në propozimin franko-gjerman, pra propozimin e Bashkimit Evropian për çështjen e Kosovës.