LajmeMaqedoniTopLajm

Kumanovë, mbi 80% e prindërve kërkojnë mësim nëpër shkolla

Nga anketat e bëra rezulton se mbi 80% e prindërve të shkollave fillore të qytetit të Kumanovës janë deklaruar për prezencën fizike të fëmijëve të tyre nëpër shkolla. Kreu i Kumanovës takoi drejtuesit e shkollave fillore dhe të mesme, dhe u konstatua se megjithatë në disa shkolla ka mangësi teknike për zhvillim të mësimit konform rekomandimeve të autoriteteve shëndetësore. Drejtorët e shkollave për TVM2 thanë se nga këshillat e prindërve dhe arsimtarëve vazhdimisht po kërkohet zhvillimi i procesit mësimor me prezencë fizike.

“Janë disa parakushte që i kërkon MASh, që nëpër klasa të mos jenë më tepër se 20 nxënës, kështu që ne kemi bërë kërkesë në komunë dhe ministri që ato paralele që kanë mbi 20 nxënës, të zgjidhet një formë që edhe ata nxënës të ndjekin procesin mësimor me prezencë fizike. Nga ana e kreut të komunës na u dha përkrahje për mbulimin e shpenzimeve për mjetet dezinfektuese që janë të nevojshme.”,- tha drejtori i Sh. F. “Bajram Shabani” – Kumanovë, Mustafa Ebibi.

“Në shkollën tonë nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë mundemi të zhvillojmë procesin mësimor, sepse në çdo klasë nuk kemi mbi 18 nxënës, kurse nga klasa e dytë deri në të pestën kemi problem sepse kemi klasa që ka 28 deri 30 nxënës, dihet se nga klasa e parë deri në të tretën obligative është prezenca fizike, e në disa klasa do t’i ndajmë në dy grupe e që arsimtari do të jetë i detyruar të punojë në dy ndërrime.”,- tha drejtori i Sh. F. “Jeronim De Rada” – Kumanovë, Hakik Jahiu.

Komuna planifikon që me rebalancin e buxhetit t’u ndihmojë shkollave me pajisje teknike.

“Është konstatuar lëshim teknik në funksionimin e shkollave dhe pajisja e ulët e disa shkollave fillore në qytete dhe fshatra. Mirëpo në bazë të rekomandimeve do të përpiqemi të japim maksimumin, sidomos drejtorët dhe të punësuarit në shkollat fillore dhe të mesme, që të vihet procesi edukativo-arsimor në nivelin maksimal, në suaza të kushteve dhe mundësive që posedojmë.”,- theksoi kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.

Ditët në vijim do të dëshmojnë nëse kompetentët do të arrijnë t’i shmangin mangësitë teknike për prezencën eventuale fizike të nxënësve nëpër shkolla edhe përkundër faktit se për një gjë të tillë po bëhen përpjekje maksimale.

Related Articles

Back to top button
Close
Close