LajmeMaqedoniTopLajm

Kryeministri Kovaçevski dhe ministrat u pritën nga presidenti Pendarovski

Kryeministri Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot, në pranim te presidenti i shtetit Stevo Pendarovski e prezantoi përbërjen e re qeveritare, pas zgjedhjes nga ana e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Duke nënvizuar se marrja e mandatit është detyrim dhe nder të cilin e mori me shumë përgjegjësi, Kryeministri Kovaçevski shprehu pritshmëri për bashkëpunim me Presidentin e shtetit në interes të qytetarëve dhe shtetit.

“Qeveria e re ka synim të qartë – t’i përgjigjet në mënyrë kompetente ndaj krizës energjetike, të mundësojë siguri, kushte për një jetë më të mirë dhe një të ardhme evropiane dhe të begatë për qytetarët tanë. Për këtë nevojitet sundim efikas, i ndershëm dhe i përgjegjshëm, gjë që e kam kërkuar nga të gjithë ministrat që kanë pranuar të jenë pjesë e ekipit, i cili bashkërisht do të përpiqet përmes institucioneve të pavarura dhe një shoqërie të drejtë t’u shërbejë interesave të qytetarëve”, tha kryeministri Kovaçevski pas takimit me Pendarovskin.

http://

Duke theksuar prioritetet për punën e anëtarëve të Qeverisë, Kovaçevski, përveç përballjes me krizën energjetike, e cila si pjesë e krizës evropiane energjetike po ndjehet edhe në vendin tonë, e përmendi si jashtëzakonisht të rëndësishme edhe ruajtjen dhe përmirësimin e standardit jetësor të qytetarëve, mbështetjen e kompanive për tejkalimin e krizës ekonomike si rezultat i krizës energjetike, si dhe në përmbushjen e synimeve në lidhje me projektet e mëdha infrastrukturore të miratuara në Buxhetin e vitit 2022, si dhe në zgjidhjet ligjore të miratuara nga Kuvendi në muajin dhjetor.

“Eurointegrimi si qëllimi ynë strategjik sigurisht që mbetet ndër prioritetet kryesore. Po vjen kohë e re. Nga sot çdo minutë nga koha jonë ia kushtojmë çështjeve kyçe me interes për qytetarët. Si Kryetar i Qeverisë së re, për detyrën dhe përgjegjësinë time, i kam vendosur vetes komunikim dhe bashkëpunim konstruktiv me të gjitha palët e interesuara në shoqërinë tonë, si organizatat e shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e opozitës”, tha Kryeministri Kovaçevski, duke theksuar se Qeveria e re do të jetë shumë produktive, e përkushtuar ndaj synimeve të larta, për të cilat, siç nënvizoi, është i sigurt se me shumë punë dhe mund do të realizohen.

Qeveria në krye me Kovaevskin sot e mbajti edhe mbledhjen e parë konstituive.

Sot në mëngjes, në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut u bë pranim-dorëzimi i funksionit dhe kabinetit midis kryeministrit të deritanishëm Zoran Zaev dhe kryeministrit të sapozgjedhur Dimitar Kovaçevski.

Pas debatit dyditor, mbrëmë rreth mesnatës me 62 vota “për” u zgjodh Qeveria e re.

Në të do të ketë 21 antarë – nga LSDM 11, BDI 6Alternativa 3 dhe një ministër nga PLD-ja.

Kabineti i ri qeveritar ka një anëtar më shumë se i deritanishmi, ministër pa resor post që pas formimit të shumicës së re parlamentare i përkiste Alternativës.

Në një fjalim para deputetëve para zgjedhjes së Qeverisë, Kovaçevski tha se fokusi i programit të qeverisë është te qytetarët, ekonomia dhe ballafaqimi me pasojat e pandemisë dhe krizës energjetike. Ai theksoi se nuk duhen zgjedhje të reja, duke paralajmëruar rritje të pensioneve dhe rritje të pagave minimale dhe mesatare, si dhe reforma në arsim.

Duke folur për kontestin me Bullgarinë, Kovaçevski tha se bisedimet do të vazhdojnë dhe do të intensifikohen pa rrezikuar identitetin e popullit.

Ndryshe, Zaev dha dorëheqjen pas zgjedhjeve lokale në të cilat partia e tij pësoi humbje të madhe. Sipas tij, dorëheqja është hap logjik që del nga rezultati i zgjedhjeve lokale dhe është shprehje e përgjegjësisë për rezultatet e zgjedhjeve.

Zaev, u largua edhe nga pozita udhëheqëse në LSDM, të cilën e drejtoi që nga viti 2013. Funksionin e të parit të qeverisë e ka ushtruar nga 31 maji 2017, kurse mandatin e dytë si kryeministër e fitoi në zgjedhjet e 15 korrikut të vitit të kaluar.

Related Articles

Back to top button
Close
Close