
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, ka pritur sot në një takim Ambasadoren e Gjermanisë, Petra Drexler, dhe Ambasadoren e Holandës, Özlem Canel, ku është diskutuar për zhvillimet aktuale dhe sfidat me të cilat përballet komuna.
Përmes një njoftimi, Kasami bëri të ditur se gjatë takimit është zhvilluar një bisedë e hapur për proceset zhvillimore në Tetovë, prioritetet e komunës dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.
“Sot pata kënaqësinë të mirëpres në Komunën e Tetovës Ambasadoren e Gjermanisë, Petra Drexler, si dhe Ambasadoren e Holandës, Özlem Canel”, ka deklaruar Kasami.
Sipas tij, gjatë takimit janë trajtuar edhe sfidat me të cilat përballet Komuna e Tetovës, si dhe zhvillimet aktuale në nivel lokal.
“Gjatë takimit zhvilluam një bisedë të hapur mbi aktualitetet në Komunën e Tetovës, proceset zhvillimore, sfidat me të cilat përballet komuna, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët”, thuhet në njoftimin e kryetarit të Tetovës.
Kasami vlerësoi se takime të tilla krijojnë mundësi për shkëmbim të ideve dhe njohje më të afërt me zhvillimet dhe prioritetet e qytetit.
“Takime të tilla përbëjnë një mundësi të mirë për shkëmbim mendimesh dhe njohje më të afërt me prioritetet dhe zhvillimet në Tetovë”, ka theksuar ai.



