SportTopLajm

Kampionati anglez “ndizet” me derbin e Manchesterit, Solskjaer luan pankinën

Kohët kalojnë shpejt dhe Premier League bëhet gati për të prekur pa humbur kohë 1/3-at e kampionatit. Është periudha festive e vitit dhe mesjavën e ardhshme do të luhen menjëherë sfidat e javës së 13, ndërsa këtë radhë nga Java e 12 e Premiership-it Anglez spikat padyshim derbi i Manchester-it mes United dhe City. Dy klubet e këtij qyteti do të përballen për herë të 183 në të gjithë kompeticionet dhe për momentin janë “djajtë e kuq” ata që renditen më lart, teksa pozicionohen një vend më lart dhe me një pikë më shumë se “citizens”, por gjithsesi dy ekipet kanë gjithashtu edhe ndeshje të prapambetura respektivisht me kundërshtarë si Burnley dhe Aston Villa.

Një ndeshje shumë e rëndësishme mbi të gjitha për trajnerin e “red devils” Ole Gunnar Solskjaer, që rrezikon shkarkimin pas eliminimit me Leipzig-un në Saksoni. Edhe mbrojtësit më fanatikë të trajnerit norvegjez tani janë tërhequr dhe kanë bërë mënjanë, e prej kohësh tabloidët britanikë kanë publikuar listën e kandidatëve për të marrë timonin në Carrington. 47-vjeçari e mori drejtimin e “djajve të kuq” ekzaktësisht dy vjet më parë, pas disfatës së Manchester United në “derbin e Anglisë” me Liverpulin në “Anfield Road” me rezultatin 3-1, takim që asokohe i kushtoi vendin e punës Jose Mourinho-s.

Për hir të së vërtetës trajneri nordik e ka parë veten shpesh herë në situata të tilla, megjithatë është fakt që Solskajer gjithmonë ka shpëtuar pas fitoreve të befasishme dhe kthesave të mëdha nga ana e futbollistëve të tij. Për fatin e tij të keq ky derbi vjen menjëherë pas disfatës në Champions League, por mbi të gjitha ndeshja do të zhvillohet në “Old Trafford”, ku skuadra po vuan pa fund. Në pesë javët e para “red devils” kanë fituar në shtëpi vetëm takimin me West Bromwich Albion, madje edhe atë ndeshje pas tentativës së dytë nga pika e bardhë të mesfushorit portugez Bruno Fernandes.

Jashtë fushe “djajtë e kuq” kanë vendosur një rekord të ri në historinë e futbollit anglez, duke fituar pesë ndeshjet e këtij edicioni me përmbysje, pra pasi kanë pësuar fillimisht në çdo rast gol të parët. Ekipi numëron 4 fitore rresht në kampionat dhe pozicionimi në vendin e tretë sidoqoftë i krijon mundësi klubit për të vijuar aventurën në Kupat e Evropës në kompeticionin e dytë më të rëndësishëm, pra në Europa League, gjithsesi bookmakers-at tashmë e kuotojnë Solskjaer-in me koeficientin 3, si trajnerin e parë që do të shkarkohet në edicionin 2020-21 në Premiership.

Në mesjavë, pikërisht në momentet e fundit kur ekipit të tij i nevojiteshin gola 47-vjeçari nga Kristiansundi i shtangu të gjithë, teksa zëvendësoi dyshen Lindelof–Wan Bissaka me mbrojtësit e tjerë Tuanzebe e Fosu Mensah, sidoqoftë ky është Solskjaer dhe nuk është se u zbulua të martën në mbrëmje, megjithatë me fat apo jo është fakt që skuadra ka qenë vazhdimisht me të në shumë situata të ngjashme dhe “djajtë e kuq” kanë treguar karakter dhe kanë reaguar më së miri duke e shpëtuar në shumë raste trajnerin e tyre.

Këtë herë klubit i është shtuar edhe çështja Pogba, pas deklaratave më të fundit të menaxherit të tij problematik Mino Raiola, gjithsesi United do të ketë gjithashtu edhe një kalendar tepër të vështirë, sepse pas takimit në “Bramall Lane” me Sheffield United deri në fund të vitit “red devils” do të masin forcat me radhë me ekipe si Leeds, Everton, Leicester dhe Wolves. Vendasit përveç mbrojtësit Luke Shaw kanë në dyshim edhe dyshen e sulmit Cavani – Martial, ndërsa në anën tjetër trajneri Pep Guardiola ka me probleme fizike binomin Gundogan – Eric Garcia.

“Sky blues” po ngrihen dhe ekipi ka fituar 4 nga 5 ndeshjet e fundit në të gjithë kompeticionet. Trajneri katalanas kërkon patjetër 3 pikët, për të hequr sadopak “damkën e turpit”, teksa ka humbur 3 nga 4 përballjet e fundit me një trajner si Ole Gunnar Solskajer, për më tepër “sky blues” duhet të jenë në gjendje për të përfituar nga problemet e tmerrshme që ka United në fazën mbrojtëse. Derbi i Manchester-it United – City do të luhet në orën 18:30 në “Teatrin e Ëndrrave” dhe do të vijë në formë dhurate për të gjithë të apasionuarit që janë abonuar në paketën familjare të DigitAlb.

Related Articles

Back to top button
Close
Close