SportTopLajm

Nga një “finale” në tjetrën, Zidane pret reagimin e të tijve në derbin e Madridit

Goli i Karim Benzema në shkurt të këtij viti është goli i vetëm që është shënuar në tre përballjet e fundit ndërmjet Realit dhe Atletikos, derbit më të rëndësishëm madrilen. Ishte data 1 shkurt dhe zyrtarisht Spanja e shumë vende të tjera të globit nuk ishin prekur ende nga pandemia e koronavirusit, megjithatë gjërat kanë ndryshuar ndjeshëm dhe dhjetë muaj e gjysmë më vonë gjithçka është përmbysur, madje edhe vetë hierarkitë në Primera Division.

Asokohe në stadiumin “Santiago Bernabeu” derbi i famshëm i kryeqytetit spanjoll u ndoq nga 77.000 spektatorë, ndërsa këtë herë ky duel do të mbahet në një stadium të vogël dhe të zbrazët, pikërisht në qendrën stërvitore të Realit, në Valdebebas. Në vetëm pak kohë situata është përkeqësuar ndjeshëm te dy gjigantët e futbollit spanjoll dhe nga kjo gjë ka ditur të përfitojë më së miri ekipi i Diego Simeones. Pa u ndjerë dhe me një qetësi për t’u admiruar “los colchoneros” kanë rreshtuar plot 7 fitore radhazi në kampionat, duke u shkëputur plot 6 pikë nga kampionët në fuqi dhe 12 pikë nga skuadra e Barcelonës.

El Cholo ka rigjetur ekuilibrat e dikurshëm dhe bardhekuqtë janë shndërruar në skuadrën favorite për titullin e këtij edicioni në Primera Division. Dihet, forca e skuadrave të drejtuara nga 50-vjeçari argjentinas qëndron pikërisht te reparti i prapavijës, e në fakt ekipi i Atletikos nuk ka pësuar fare gol në 8 nga 9 sfidat e fundit të kampionatit spanjoll. Bardhekuqtë kanë pësuar vetëm 2 gola gjithsej në 10 javë dhe “los colchoneros” krenohen si skuadra e vetme që nuk njeh humbje në këtë edicion të ligës spanjolle, për më tepër ekipi i Atletikos ka gjithashtu edhe një ndeshje më tepër për të zhvilluar, krahasuar me kampionët në fuqi.

Te miqtë do të mungojë vetëm dyshja Diego Costa – Jose Gimenez, ndërsa pjesa tjetër është e plotë dhe pa probleme në dispozicion të trajnerit latino–amerikan. Të dy ekipet e përmbushën misionin e tyre të kualifikimit, duke kaluar me sukses në mesjavë fazën e grupeve në Champions, sidoqoftë krejt ndryshe nga bardhekuqtë, te “los blancos” gjithçka u përjetua plot ankth e emocion, për shkak të luhatjeve të shumta të ekipit merengues.

Vendasit kanë fituar vetëm 1 nga 4 takimet e fundit në kampionat, edhe atë falë një autogoli. Bëhet fjalë për një triumf të rëndësishëm brenda në Andaluzi ndaj një skuadre si Sevilla, sidoqoftë është e qartë që kampionët në fuqi kanë probleme të shumta si në shënimin e golave, ashtu edhe në fazën mbrojtëse. Trajneri Zinedine Zidane për momentin ia ka dalë mbanë për ta ruajtur vendin e tij të punës, gjithsesi francezi nuk do të mund të mbështetet te futbollistë të tillë si Hazard, Valverde e Luka Jovic, ndërkohë Odegaard dhe Mariano Diaz kanë probleme fizike.

Skuadra e Simeones ka harruar të humbasë në Primera Division dhe Atletico numëron plot 26 ndeshje pa provuar shijen e disfatës, periudhë ku ekipi ka fituar 17 dhe barazuar 9 takime. Derbi i Madridit do të luhet në orën 21:00 në stadiumin “Alfredo Di Stefano” dhe do të vijë në formë dhurate për të gjithë të apasionuarit që janë abonuar në paketën familjare të DigitAlb.

Related Articles

Back to top button
Close
Close